Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Beniadë Nishani: Mësimet e jetës që e formësuan

Beniadë Nishani: Mësimet e jetës që e formësuan
Foto: reporteri.al

1. Cila është një gjë që dikur e bëje për të tjerët, por sot e bën vetëm për veten?

Dikur u besoja të tjerëve me të njëjtën sinqeritet me të cilin jetoja vetë. Sot kam mësuar t’i besoj më shumë vetes dhe të mos i injoroj ndjesitë e mia. Sepse jo të gjithë ata që të buzëqeshin ta duan të mirën.

2. Cilin gabim të jetës nuk do ta përsërisje kurrë?

Nuk do të doja të përsërisja gabimin e justifikimit të vazhdueshëm të të tjerëve. Dikur përpiqesha të gjeja një arsye për çdo sjellje, ndoshta sepse ishte më e lehtë të justifikoja dikë sesa të pranoja se vendi i tij në jetën time kishte ndryshuar. Sot e di se jo çdo sjellje ka nevojë për justifikim; ndonjëherë mjafton ta pranosh realitetin dhe të vazhdosh përpara.

3. Çfarë nuk pranon më në një marrëdhënie, pavarësisht sa shumë dashuron?

Për mua, është manipulimi. Tradhtia të lëndon, por manipulimi mund të të bëjë të dyshosh te vetja, te perceptimi yt dhe te ndjenjat e tua. Nuk do të pranoja kurrë një marrëdhënie ku dikush përpiqet të më kontrollojë duke më bërë të humbas besimin te vetja. Dashuria nuk duhet të vijë kurrë në kurriz të respektit për veten.

4. Çfarë të mësoi një miqësi që përfundoi?

Më mësoi se jo të gjithë rritemi në të njëjtin drejtim. Njerëzit ndryshojnë, ashtu siç ndryshojnë edhe vlerat dhe prioritetet tona. Mund t’i ruash me dashuri kujtimet e bukura pa qenë e detyruar ta mbash dikë në jetën tënde. Ndonjëherë, të ecësh përpara pa inat është zgjedhja më e mirë.

5. Kur e kuptove se të thuash “jo” është e domosdoshme?

Ndoshta pak më vonë nga sa duhej, por kuptova se të thuash “jo” është një formë respekti ndaj vetes. Të vendosësh kufij nuk të bën më pak të mirë; përkundrazi, u mëson të tjerëve të mos e marrin praninë dhe gatishmërinë tënde si të mirëqena.

6. Çfarë nuk ia vlen të sakrifikosh për sukses?

Nuk do të sakrifikoja kurrë dinjitetin dhe veten time për suksesin. Për mua, suksesi nuk matet vetëm me para, famë apo karrierë, por edhe me paqen e brendshme, dashurinë dhe familjen. Të dish se prindërit e tu janë mirë dhe të qetë është një nga bekimet më të mëdha. Në fund të fundit, nuk ka vlerë sa larg ke arritur nëse gjatë rrugës ke humbur veten dhe njerëzit që i japin kuptim jetës tënde.

7. Cilës gjë i jepje shumë rëndësi dikur, por sot jo?

Dikur i kushtoja shumë rëndësi markave dhe veshjeve firmato. Duke u rritur në Itali dhe duke u përballur me paragjykime për faktin që isha shqiptare dhe emigrante, ndoshta mendoja se mënyra si paraqitesha kishte më shumë rëndësi nga sa kishte në të vërtetë. Më vonë, duke punuar si modele dhe duke njohur nga afër botën e modës, kuptova se logoja nuk të bën më të veçantë. Edhe sot më pëlqejnë gjërat e bukura, por mund të vesh fare mirë një palë xhinse, një bluzë të thjeshtë dhe atlete pa logo, e të ndihem po aq bukur. Madje, së fundmi bleva një palë atlete H&M që shumë njerëz i ngatërruan me atlete firmato. Kur u thashë markën, u argëtova shumë! Mesazhi im për të rinjtë është: mos mendoni se një markë ju bën më të rëndësishëm apo më të veçantë. Vishuni siç ju pëlqen dhe ‘Ciaoo belli’!

8. Çfarë zbulove për veten në një periudhë të vështirë?

Zbulova se kam aftësinë t’i lë pas gjërat që më kanë lënduar, pa mbajtur urrejtje ndaj askujt. Kjo nuk do të thotë se harroj gjithçka, por se nuk dua të jetoj e lidhur me dhimbjen e së shkuarës. Kam mësuar të eci përpara pa lejuar që përvojat e vështira të më ndryshojnë për keq. Të lësh pas nuk do të thotë domosdoshmërisht të falësh apo t’i japësh dikujt të njëjtin vend në jetën tënde. Dhe kjo është diçka që më ndihmon të ruaj qetësinë time. Besoj… shpresoj! (Qesh.)

9. Për çfarë nuk ndien më nevojë t’u provosh asgjë të tjerëve?

Nuk ndiej më nevojën t’u provoj të tjerëve vlerën time, sidomos kur përpiqen të më provokojnë apo të më bëjnë të ndihem më pak se ç’jam. Jam e drejtpërdrejtë dhe them atë që mendoj, por kam kuptuar se jo çdo provokim meriton përgjigje dhe jo të gjithëve u detyrohesh shpjegime. Në fund, veprimet dhe mënyra si jeton flasin shumë më tepër se fjalët.

10. Cila është këshilla më e vlefshme që ke marrë nga prindërit dhe që do t’ua përcjellësh edhe fëmijëve të tu?

Fëmijëve duhet t’u flasim hapur për gjithçka, pa tabu dhe pa turp. Do t’u thoja prindërve, sidomos nënave, të mos kenë frikë të flasin me fëmijët për trupin, pubertetin, intimitetin dhe marrëdhëniet. Ata duhet të rriten duke kuptuar se nuk ka asgjë të turpshme në këto tema dhe se respekti ndaj njëri-tjetrit është thelbësor. Unë kam qenë me fat. Por sot jetojmë në një kohë të vështirë, ku fëmijët rriten shumë shpejt dhe shpesh marrin informacion nga shoqëria apo rrjetet sociale, përpara se të kenë mundësinë t’i diskutojnë këto tema me prindërit e tyre. Sepse, në fund të fundit, pak gjëra janë më të rrezikshme se padija. Dhe në vitin 2026, nuk mund t’ia lejojmë më vetes këtë.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha