Parashikimi ishte për në fund të muajit, por duket se realiteti është tjetër.
Tomas Strakosha është kthyer në stërvitje në mënyrë normale tek AEK-u i Athinës, siç informojnë edhe mediat greke.
Edhe pse kjo nuk do ta ndihmojë për t’u futur në listën e kombëtares shqiptare për ndeshjet e Ligës së Kombeve, lajmi është shumë i mirë për gardianin kuqezi.
Kthimi pas lëndimit
Numri 1 i Shqipërisë mungonte në stërvitje që nga 9 shtatori, pra për rreth dy muaj për shkak të lëndimit në kyçin e dorës. Gjatë kësaj periudhe ai humbi ndeshje të shumta në kampionatin grek, në Champions, si dhe katër duelet e para të Ligës së Kombeve.
Gjithsesi, periudha më e vështirë duket se ka kaluar. Sipas mediave në Athinë, Strakosha është tani në dispozicion të trajnerit të AEK-ut, Nikoliç.
Planet për ndeshjet e ardhshme
Shpresohet që ai të jetë në stol që në ndeshjen e kësaj të diele në Superligën greke ndaj Levadhiakosit, dhe më pas të jetë titullar pas përfundimit të ndërprerjes së kampionateve për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Sfida e parë e radhës do të luhet më 21 nëntor në fushën e Kallamatës, përsëri në kampionatin grek.
Burimi: abcnews.al










