Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Salillari gjobitet nga Dogana e Durrësit për shmangie taksash në karburant

Salillari gjobitet nga Dogana e Durrësit për shmangie taksash në karburant
Foto: vip-magazine.al

Dogana e Durrësit ka gjobitur kompaninë “Salillari” me 5.1 milionë euro për shmangie të taksave mbi naftën. Vendimi Nr. 626 i autoriteteve doganore konstaton lindjen e një borxhi doganor për shkak të mosrespektimit të procedurave për rreth 1.32 milionë kilogramë karburant, i cili ishte deklaruar nën regjimin e përjashtimit taksues të NATO-s.

Autorizimi i përjashtimit dhe çfarë u gjet në kontroll

Sipas dokumentacionit zyrtar të hetimit doganor në Sektorin e Porto Romanos, kompania kishte marrë autorizimin e përjashtimit Nr. 14695 për importin e materialeve që do të përdoreshin ekskluzivisht për ndërtimin e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ky status ligjor lejonte që mallrat e caktuara për bazën të mos ngarkoheshin me TVSH, akcizë apo taksa doganore.

Gjatë kontrolleve në terren dhe verifikimit të sistemit kompjuterik Asycuda, audituesit doganorë zbuluan se për rreth 1.3 milionë kg naftë “diesel” 10ppm, kompania nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë specifike përjashtimi të miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA). Për shkak të mungesës së këtij dokumenti në momentin e zhdoganimit, autoritetet e konsideruan këtë sasi si mall në qarkullim të lirë, të deklaruar gabimisht nën regjimin e përjashtimit.

Llogaritja e detyrimit dhe gjobës

Detyrimi fillestar i papaguar, i llogaritur nga dogana, arrin shumën 156 milionë lekë. Ai përfshin 60.4 milionë lekë akcizë, 48 milionë lekë TVSH, 42.7 milionë lekë taksë qarkullimi dhe 4.7 milionë lekë taksë karboni.

Rasti u klasifikua si kundërvajtje administrative doganore e kryer nga neglizhenca, sipas nenit 252 për mosrespektimin e afateve dhe procedurave. Për këtë u aplikua sanksioni prej dy herë detyrimit të munguar, që shkon në 312 milionë lekë. Bashkë me detyrimin fillestar, shuma totale që kompania është ngarkuar të paguajë është 468 milionë lekë, ose rreth 5.15 milionë euro.

Reagimi i kompanisë

Përfaqësuesit e subjektit refuzuan të nënshkruajnë procesverbalin. Në ankimimet e tyre administrative ata pretendojnë se procedurat doganore janë të pavlefshme, pasi malli mbulohej nga marrëveshja kuadër që Shqipëria ka me NATO-n. Dogana e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Burimi: vip-magazine.al

Të fundit Të gjitha