Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Trump: SHBA-ja mund të pushtojë Iranin

Trump: SHBA-ja mund të pushtojë Iranin
Foto: ata.gov.al

UASHINGTON, 7 nëntor /ATSH – AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sugjeruar se Washingtoni “mund të jetë pushtues” në Iran, duke pretenduar se kontrollon Ngushticën e Hormuzit dhe po nxjerr sasi rekord të naftës nga kjo rrugë ujore strategjike.

Krahasimi me konfliktin Rusi-Ukrainë

Duke folur para gazetarëve pas një fjalimi në një objekt të NASA-s në shtetin e Floridës, Trump e krahasoi luftën e SHBA-së me Iranin me konfliktin Rusi-Ukrainë, për të cilin pretendoi se gjatë muajit tetor kanë humbur jetën 25.000 persona.

“Kjo quhet luftë”, tha Trump, duke iu referuar luftimeve ndërmjet Moskës dhe Kievit.

Ai argumentoi se lufta me Iranin, e cila tashmë ka hyrë në muajin e nëntë, nuk mund të quhet luftë, pasi sipas tij, prej disa muajsh “askush nuk është plagosur”.

“E gjithë ajo që jemi ne, ndoshta, është një forcë pushtuese. (Ne) mund të jemi pushtues”, shtoi ai.

Pretendimet për Ngushticën e Hormuzit

Trump përsëriti pretendimin se SHBA-ja kontrollon Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për furnizimin global me energji.

“Ne e kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit. Tani po nxjerrim më shumë naftë se kurrë më parë në historinë e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.

Sulmet pranë ishullit Qeshm

I pyetur nëse forcat amerikane kishin kryer sulmet e raportuara pranë ishullit iranian Qeshm të premten, Trump fillimisht refuzoi të komentonte, por pranoi se ishin kryer operacione të kufizuara ushtarake.

“Nuk dua të flas për këtë. Ne kryejmë sulme të vogla”, tha ai.

Ai shtoi se forcat iraniane kishin ndërtuar një instalim kundërajror, të cilin SHBA-ja e kishte shkatërruar brenda pak minutash.

Deklaratat vijnë disa ditë pasi Trump konfirmoi sulmet amerikane ndaj një objekti të mbrojtjes ajrore iraniane në ishullin Qeshm, duke e përshkruar operacionin si një sulm të vogël dhe jo si rikthim në një luftë në shkallë të plotë.

Reagimi i Iranit

Irani ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së për kontrollin e ngushticës, duke këmbëngulur se Teherani ruan kontrollin strategjik mbi këtë rrugë ujore dhe se nuk do ta rihapë atë derisa të plotësohen kushtet e tij. /os/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha