Angela Martini njofton fundin e martesës me Dragos
Pas muajsh të tërë spekulimesh dhe paqartësish rreth jetës së saj private, Angela Martini ka konfirmuar zyrtarisht fundin e martesës me biznesmenin rumun Dragos Savulescu.
Ka qenë vetë modelja shqiptare ajo që ka bërë publik lajmin përmes një deklarate në Instagram, ku ka njoftuar se marrëdhënia e tyre ka marrë fund, pas një kapitulli të rëndësishëm të jetës së përbashkët.
Në mesazhin e saj, Angela ka theksuar se, pavarësisht ndarjes, djali i tyre do të mbetet gjithmonë përparësia kryesore dhe se lumturia e mirëqenia e tij janë mbi gjithçka.
“Pas një kapitulli shumë domethënës së bashku, marrëdhënia jonë ka marrë fund. Djali ynë mbetet dhurata më e madhe e kohës sonë së bashku dhe lumturia e mirëqenia e tij do të jenë gjithmonë në vend të parë”, ka shkruar modelja.
Ajo e ka mbyllur deklaratën me një urim për ish-bashkëshortin, duke i dëshiruar gjithë të mirat dhe duke falënderuar ndjekësit për mirëkuptimin dhe respektimin e privatësisë së familjes.
Lidhja familjare mes Young Zerkës dhe Adrian Trebickës
Një detaj i panjohur për publikun ka zbuluar një lidhje familjare mes dy emrave të njohur të muzikës shqiptare. Këngëtari Young Zerka është dhëndri i kolegut të tij, Adrian Trebicka, pasi është martuar me vajzën e këtij të fundit, Ilianën.
Ky detaj nuk ishte bërë më parë publik nga vetë Young Zerka, i cili nuk ka folur ndonjëherë për këtë marrëdhënie familjare. Ka qenë pikërisht Adrian Trebicka ai që e ka zbuluar këtë lidhje gjatë një interviste në programin e kësaj pasditeje “Rudina”, në Tv Klan.
Teksa po ndante me publikun emocionet e përjetimit të një kapitulli të ri në jetën e tij, atë të gjyshit për herë të parë, Trebicka foli edhe për ardhjen në jetë të Zigi Zajan, duke zbuluar kështu edhe lidhjen që e bashkon me këngëtarin Young Zerka.
Një surprizë për publikun, që ndoshta nuk e kishte imagjinuar se pas marrëdhënies së tyre në botën e muzikës fshihej edhe një lidhje kaq e afërt familjare. Mesa duket, Young Zerka dhe Adrian Trebicka janë jo vetëm kolegë, por tashmë edhe pjesë e së njëjtës familje!
Kerem Bürsin dhe Demet Özdemir në serialin e ri “Grand Maison Istanbul”
Një bashkëpunim që fansat e serialeve turke e kanë pritur prej kohësh më në fund po bëhet realitet. Kerem Bürsin dhe Demet Özdemir do të ndajnë ekranin në serialin e ri “Grand Maison Istanbul”, një produksion origjinal i Amazon Prime Video, i cili pritet të ketë një audiencë ndërkombëtare.
Pas muajsh spekulimesh rreth emrit që do të interpretonte personazhin kryesor femëror, tashmë është konfirmuar se Demet Özdemir do të jetë Defne. Ndërkohë, Kerem Bürsin do të interpretojë Ateş, duke formuar dyshen protagoniste të këtij projekti.
Seriali do të prodhohet nga DASS Yapım, ndërsa xhirimet janë planifikuar të nisin në muajin dhjetor. Në krye të regjisë do të jetë Umut Aral, fitues i çmimit International Emmy, një tjetër emër që i shton pritshmëritë për këtë produksion.
“Grand Maison Istanbul” po zhvillohet si një projekt me ambicie globale, i menduar jo vetëm për publikun turk, por edhe për shikuesit në tregjet ndërkombëtare. Një zgjedhje që vjen në një kohë kur serialet turke kanë fituar gjithnjë e më shumë popullaritet përtej kufijve të vendit.
Për momentin, detaje të mëtejshme rreth historisë dhe datës së premierës nuk janë bërë ende publike. Megjithatë, bashkimi i dy prej aktorëve më të pëlqyer të ekranit turk ka mjaftuar që projekti të ngjallë interes të madh që në fazat e para të tij.
Orinda Huta: Mëmësia nuk m’i ka zbehur ëndrrat, por ka ndryshuar mënyrën si i realizoj
Moderatorja e njohur prezantohet për Bordo me të njëjtën dritë, por me disa kapituj të rinj të jetës dhe karrierës së saj.
Orindën e kam takuar para 20 vitesh në intervistën tonë të parë. Asokohe ishte një këngëtare e re cila kishte rrëmbyer zemrat e të rinjve me hitet dhe pamjen e saj. Madje, edhe pas dy dekadash Orinda Huta ka të njëjtën aureole ëngjëllore, një buzëqeshje të dlirë dhe një pamje me bukuri natyrale, që jo vetëm nuk është zbehur, por është theksuar më fort në shumë dimensione, si figurë e konsoliduar e ekranit, bashkëshorte e lumtur e showmen-it Turjan Hyska dhe mami i Atarës.
Në këtë intervistë për Bordo, ajo na flet për projektin e ri televiziv në “Goca & Gra”, mikeshat me të cilat ndan jo thjesht panelin, por edhe mendimet, duke sjellë para shikuesve Orindën që shpreh hapur mendimet dhe bindjet e saj, si grua, nënë, por edhe pjesë e shoqërisë. Ndërkaq na zbulon se podcast-i i saj “Mam” që prej katër sezonesh ka sjellë një tjetër dimension të Orindës, pritet të sjellë disa risi mbi mëmësinë dhe prindërimin. Në këtë rrëfim do të zbuloni të gjitha ngjyrat e bukuroshes Orinda Huta, jo thjesht si moderator dhe producente, por edhe rreth raportin me bashkëshortin dhe vajzën e saj të ëmbël, Atara.
Rikthimi në ekran dhe përvoja e re në “Goca & Gra”
Pas një periudhe larg ekranit, Orinda vjen në një program të ri. Si ishte ndjesia e rikthimit?
Marrëdhënia ime me televizionin ka qenë gjithmonë e veçantë dhe, në fakt, nuk kam qenë asnjëherë kategorike për të mos u rikthyer. Thjesht, me kalimin e viteve kanë ndryshuar prioritetet e mia dhe mënyra si e organizoj kohën. Sot, përpara se të marr përsipër një angazhim të ri, mendoj edhe për hapësirën që dua të ruaj për vajzën time, familjen dhe projektet personale. Prandaj rikthimi nuk ishte diçka që e kërkoja me çdo kusht, por një mundësi që do të doja të vinte në momentin dhe formën e duhur. Dhe mendoj se “Goca & Gra” erdhi pikërisht kështu. Ishte një ftesë që e prita me shumë dëshirë, për një format ku ndihem mirë dhe ku kam mundësinë të sjell diçka nga vetja.
A patët dyshime për faktin që po drejtoni një program ndryshe dhe shfaqeni në një televizion të ri?
Nuk do t’i quaja dyshime. Për mua ishte e rëndësishme që ky angazhim të përshtatej me mënyrën si e kam organizuar sot jetën, duke ruajtur kohën me Atarën dhe projektet e mia personale. Kjo nuk e ndryshon aspak përkushtimin tim profesional. Kur marr përsipër diçka, dua ta bëj sa më mirë. Ajo që më pëlqen te “Goca & Gra” është se më jep mundësinë të jem vetvetja, të shpreh mendimet e mia, të dëgjoj dhe të diskutoj. Është një angazhim që më vjen natyrshëm, edhe pse sigurisht kërkon përgatitje dhe përgjegjësi. Si çdo projekt i ri, edhe ky ka nevojë për kohën e vet që të krijohet ritmi i duhur. Për mua ka rëndësi që të respektojmë angazhimet e njëra-tjetrës dhe të ndërtojmë një bashkëpunim të mirë. Deri tani energjia është shumë pozitive dhe kemi një staf jashtëzakonisht të përkushtuar që na e lehtëson këtë rrugëtim. Për këtë u jam vërtet mirënjohëse. Sa i përket Top Channel, është një televizion ku vij me shumë dëshirë, një logo me peshë dhe ndikim të madh. E shoh këtë bashkëpunim si një mundësi shumë të bukur. Ndryshimet më duken të shëndetshme dhe nuk më trembin. Besoj se në këtë profesion duhet të kesh gjithmonë dëshirën dhe kurajën për të provuar gjëra të reja.
Ky format vjen në një fazë pjekurie pas disa përvojave televizive. Çfarë e bën atë ndryshe?
Mendoj se çdo përvojë të mëson diçka dhe, natyrshëm, edhe mënyra si i sheh gjërat ndryshon me vitet. Sot jam në një etapë tjetër të jetës, me përvoja dhe përgjegjësi të tjera, që sigurisht ndikojnë edhe në këndvështrimin tim. Ajo që e bën ndryshe “Goca & Gra” nga eksperiencat e mia të mëparshme është mundësia për të qenë pjesë e një bisede ku sjell mendimet, bindjet dhe pikëpyetjet e mia. Më pëlqen shumë kjo liri. Nuk pretendoj se kam gjithmonë të drejtë. Madje, mendoj se është shumë e rëndësishme të dish edhe të dëgjosh. Një diskutim bëhet interesant pikërisht kur përballen këndvështrime të ndryshme dhe secila prej nesh ka mundësinë të shohë një çështje edhe nga një kënd tjetër. Për mua, kjo është një nga vlerat më të bukura të formatit.
Gratë, zëri publik dhe ndarja e mendimeve në studio
Sa rëndësi ka “Goca & Gra” në këndvështrimin e një gruaje që ndikon me opinionin e saj në publik?
Unë besoj se kur ke një hapësirë publike, ke edhe një përgjegjësi. Jo të thuash gjithmonë atë që njerëzit duan të dëgjojnë, por të jesh e ndërgjegjshme për peshën e fjalës. Nuk mendoj se duhet të pretendojmë që kemi përgjigje për gjithçka. Përkundrazi, më duket shumë më e ndershme të pranosh edhe kur nuk e di diçka apo kur një argument të bën të reflektosh. Për mua është e rëndësishme që gratë të kenë zë, të kenë mendim dhe të ndihen të lira ta shprehin atë. Njëkohësisht, besoj se liria e mendimit shkon bashkë me përgjegjësinë për mënyrën si e shprehim dhe respektin për mendimet e të tjerëve.
Deri tani ju kemi parë të prezantoni vetëm. Si është të ndash ekranin dhe idetë me tre vajza të tjera?
Është një përvojë krejt tjetër dhe shumë interesante. Kur prezanton vetëm, je mësuar me një mënyrë të caktuar të organizimit dhe ritmit të programit. Kur je pjesë e një paneli me katër vajza, dinamika është ndryshe. Duhet të dish të dëgjosh, të lësh hapësirë, të reagosh në moment dhe të ndjekësh natyrshëm rrjedhën e bisedës. Mua më pëlqen kjo dinamikë. Kemi karaktere dhe këndvështrime të ndryshme, gjë që e bën bisedën më të gjallë. Dhe sigurisht, katër gra me mendime të ndryshme në një studio sjellin gjithmonë diskutime interesante! Besoj se pikërisht kjo shumëllojshmëri e bën formatin tërheqës.
Në “Goca & Gra” e sheh veten më të lirshme, më të guximshme apo më kërkuese ndaj vetes?
Do të thosha më të lirshme dhe më të qartë. Guximin nuk e lidh domosdoshmërisht me të folurën më fort apo me deklaratat që bëjnë zhurmë. Për mua, guxim është edhe të mbrosh një mendim që mund të mos jetë popullor, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e të tjerëve për të menduar ndryshe. Me kalimin e viteve kam mësuar të jem më e qetë me mendimet dhe bindjet e mia, duke pranuar që jo të gjithë do t’i shohim gjërat njësoj. Më intereson mënyra si përcillet fjala ime, por njëkohësisht dua të jem e sinqertë me atë që besoj. Mendoj se kjo është një liri e bukur që vjen me kohën dhe përvojën.
Çfarë vlerëson më shumë te Ema, cila është ajo anë që pëlqen?
Tek Ema më pëlqen shumë shpengimi dhe natyrshmëria që ka. Është e drejtpërdrejtë dhe ka një mënyrë shumë të bukur, shpesh artistike, për t’i shprehur mendimet e saj. Mendoj se kjo e bën interesante edhe në diskutime, sepse di t’i japë ngjyrë një argumenti. Më pëlqejnë njerëzit që kanë një mënyrë të tyren të të shprehurit dhe Ema e ka padyshim këtë veçori.
Orielën e njeh edhe më parë, a ka diçka që e ke zbuluar duke punuar bashkë?
Me Orielën njihemi prej kohësh, kemi ndarë ambiente të përbashkëta dhe kemi pasur mundësi të kalojmë kohë bashkë edhe jashtë televizionit. Ajo që vlerësoj tek Oriela është se ka një mënyrë të sajën të të shprehurit, është e drejtpërdrejtë dhe e qëndrueshme në mendimet që përfaqëson.
Selin është vajza Gen Z. Për çfarë të ka surprizuar më shumë?
Selinën e njihja edhe më parë, por gjatë pjesëmarrjes së saj në Big Brother, ku e kam mbështetur shumë, më bëri përshtypje elokuenca dhe mënyra si menaxhonte situata jo gjithmonë të lehta. Edhe pse përfaqëson një brez më të ri, nuk do të doja ta kufizoja vetëm te etiketa Gen Z. Ka një natyrshmëri në komunikim dhe një aftësi për t’u lidhur me publikun që mendoj se i sjell shumë vlerë “Goca & Gra”.
Podcasti “Mam” dhe rrugëtimi i mëmësisë
Podcasti “Mam” zbulon Orindën në një tjetër dimension. Çfarë ka që të emocionon më shumë?
“Mam” është një nga projektet më të dashura për mua, sepse lindi nga një pjesë shumë personale e jetës sime: mëmësia. Me kalimin e kohës kuptova që nuk po ndërtoja thjesht një podcast për nënat. Po krijonim një hapësirë ku gratë mund të flisnin për përvoja dhe tema që jo gjithmonë gjejnë vend në bisedat e përditshme. Ajo që më emocionon më shumë janë historitë njerëzore. Kur një grua ulet përballë meje dhe ndan një përjetim shumë personal, unë e ndiej si një përgjegjësi të madhe besimin që më jep. Dhe pastaj vijnë mesazhet e grave që na ndjekin. Kur dikush më shkruan se një episod e ka nxitur të bëjë një kontroll, e ka ndihmuar të kuptojë më mirë një problem apo thjesht e ka bërë të ndihet më pak vetëm, atëherë e kuptoj se ky projekt ka një vlerë që shkon shumë përtej shikimeve.
Ku ndryshon podcasti juaj nga televizioni, apo ndiheni njësoj komode?
Janë dy dashuri të ndryshme. Televizioni ka energjinë e vet, ritmin, adrenalinën, spontanitetin. Ndërsa “Mam” ka një intimitet tjetër. Aty kam kohë të dëgjoj, të ndalem te një histori, të bëj pyetjen që ndoshta nuk ishte fare në skenar, por që lind natyrshëm nga biseda. Në televizion shpesh duhet të mendosh për kohën, ritmin dhe gjithë dinamikën e programit. Në podcast mund t’i jap më shumë hapësirë njeriut që kam përballë. Ndihem mirë në të dyja, por “Mam” ka edhe një lidhje emocionale me mua, sepse është një projekt që e kam ndërtuar me shumë dashuri dhe është “bebi” im.
Pas katër sezonesh në podcast, çfarë risish presin ndjekësit tuaj?
“Mam” do të vazhdojë të jetë ajo dhomë e bukur rrëfimesh personale, ku ndajmë histori të vërteta, përvoja dhe informacione që na ndihmojnë në rrugëtimin e prindërimit. Kjo është zemra e projektit dhe nuk dua të ndryshojë. Por kemi edhe disa risi që mezi pres t’i ndaj me publikun. Së shpejti, “Mam” do të hyjë edhe në kuzhinë! Duke parë nevojën dhe interesin e shumë nënave për receta të përshtatshme për fëmijët e vegjël, po përgatisim një hapësirë të dedikuar pikërisht kësaj teme. Do të kemi episode me receta për fëmijë nga mosha 6 muajshe deri në 3 vjeç, ku do të flasim për përgatitjen, përbërësit e përshtatshëm dhe porcionet sipas moshës, si edhe për mënyrën si mund t’ua lehtësojmë nënave përditshmërinë. Synimi është të sjellim receta praktike, të shijshme dhe të menduara me kujdes për nevojat e fëmijëve, duke u mbështetur edhe në këshilla profesionale për ushqyerjen sipas moshës. Sigurisht, nuk do të mungojnë as të ftuarit, që do të sjellin recetat e tyre të preferuara për të vegjlit. Ndërkohë, po punojmë edhe për diçka shumë më të madhe: mams.al. Një platformë që synon të mbledhë në një vend informacione, përmbajtje dhe shërbime të dobishme për vajzat, gratë, nënat dhe familjet, gjatë rrugëtimit t
Burimi: bordo.al










