Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

AAPSK mundëson laborator TIK në Labinot Katund

AAPSK mundëson laborator TIK në Labinot Katund
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Shkolla “Labinot Katundi”, në njësinë administrative Labinot Mal të Elbasanit, do të ketë për herë të parë një laborator të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Ky laborator synon të krijojë më shumë mundësi praktike për nxënësit në njohjen dhe përdorimin e teknologjisë.

Nisma dhe kërkesa e prindërve

Nisma vjen si përgjigje ndaj një prej kërkesave të ngritura nga prindërit gjatë takimeve të deputetes Sara Mila, në kuadër të programit “Prania Besnike”. Deputetja kërkoi menjëherë mbështetje nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

“Një nga kërkesat që është bërë më shumë dhe në takimet që bëjmë me Praninë Besnike ka qenë më së shumti nga prindërit tuaj që të kemi një laborator ku lënda e TIK-ut të mund të ushtrohet 100% në praktikë dhe jo vetëm në teori. Jam shumë e lumtur që arritëm dhe një bashkëpunim shumë të mirë. Menjëherë sapo e kam dërguar në rrugë institucionale kërkesën, drejtoresha, Kryeadministratorja më është përgjigjur në kohë rekord dhe tha që patjetër do të vijmë në Labinot Katund dhe do ta transformojmë një klasë atje në një laborator të mirëfilltë TIK-u, dhe ashtu ngjan sot”, u shpreh Mila.

Përgjigja e institucionit

Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja, theksoi se kjo ishte hera e parë që institucioni merrte një kërkesë nga komuniteti përmes nismës “Prania Besnike”.

“Është hera e parë që ne marrim një kërkesë nga komuniteti përmes Pranisë Besnike. Gjëja e parë që bëmë u lidhëm me Ministrinë e Arsimit që të kryejmë të gjithë procesin institucional. Ne patjetër do t’i ndihmojmë, ky është një nga angazhimet e qeverisë dhe kjo gjithashtu është një nga politikat e Agjencisë. Për çdo kërkesë që keni, jo vetëm nëpërmjet Sarës, por edhe vetë shkollës apo zyrave arsimore, që tashmë janë bashkëpunëtorët tanë, na paraqitni kërkesat dhe ne do t’i mbështesim”, u shpreh ajo.

Përfshirja e sipërmarrjes së re

Një element tjetër i rëndësishëm i kësaj nisme është përfshirja e të rinjve të sipërmarrjes Switch Technologies, e cila nisi si një startup në Elbasan. Ata do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre me nxënësit, duke i ndihmuar të hedhin hapat e parë në botën e teknologjisë.

Përmes këtij bashkëpunimi synohet që fëmijët e Labinot Katundit, pavarësisht largësisë nga qendra e qytetit, të kenë akses në mundësi të reja arsimore dhe praktike, duke zhvilluar aftësitë e tyre në një fushë gjithnjë e më të rëndësishme për të ardhmen.

AAPSK mundëson laborator TIK në Labinot Katund

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha