Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

PDK po shqyrton përshtatjen e Ligjit për Specialen me BE-në

PDK po shqyrton përshtatjen e Ligjit për Specialen me BE-në
Foto: albeu.com

Pas veprimeve të presidentes, çështja e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale është rikthyer në Kuvendin e Kosovës, ndërsa procesi vijon të jetë i paqartë.

Deputetët do të duhet të përcaktojnë hapat e ardhshëm, por çdo ndryshim i ligjit kërkon të paktën 61 vota, në bazë të nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës.

Ende nuk dihet nëse në Kuvend do të sigurohet shumica e nevojshme dhe nëse propozimet do të arrijnë të miratohen.

Qëndrimi i juristit për rolin e PDK-së dhe BE-së

Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës mund të jetë duke analizuar mënyrën e harmonizimit të ndryshimeve të propozuara me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se për këtë çështje mund të ketë bisedime që po zhvillohen larg vëmendjes publike, ndërsa sipas tij, mbetet për t’u parë nëse PDK-ja do të arrijë ta bindë BE-në.

“Për mendimin tim, PDK-ja po kalkulon dhe po shikon se si t’i përshtatë ndryshimet edhe me kërkesat e BE-së. Diçka në fshehtësi po zhvillohet. Tash, a arrijnë ta bindin BE-në, do ta shohim. Përndryshe, ligji si i tillë dhe i njëanshëm është i pamundur të zbatohet. Mirë është të aprovohet ligji, mirëpo askush nuk garanton se do të merret kush me të, më së paku BE-ja, nëse nuk arrihet një marrëveshje”, u shpreh Burjani.

Rreziku i miratimit pa marrëveshje

Sipas juristit, miratimi i një ligji pa dakordimin e Bashkimit Evropian mund të krijojë vështirësi në zbatimin e tij dhe ta lërë atë vetëm si një akt të miratuar në letër.

“Pra, për ndryshimet duhet të pajtohet edhe BE-ja, nëse duan ta zbatojnë. Nëse jo, mund ta aprovojnë dhe ta lënë në sirtar të Kuvendit si suvenir të rrallë, që nuk e gjen ekspozitën e vet. Pra, ligj jo për ekspozitë, por për zbatim efektiv. Besoj se pa problem e miratojnë, por hallin e kanë te BE-ja”, përfundoi Burjani në prononcimin për “Bota sot”.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha