Largimi nga funksionet pas hulumtimit
Imami me origjinë shqiptare Bashkim Aliu, një nga figurat e njohura të komunitetit islamik në Zvicër, është detyruar të largohet nga të gjitha funksionet e tij publike pas një hulumtimi të gazetës SonntagsZeitung. Hulumtimi zbardhi deklaratat e tij homofobe, si dhe kontaktet e afërta me qarqe radikale islamike, përfshirë pjesëmarrjen në një ngjarje ku ishte i pranishëm edhe lideri i Hamasit, Ismail Hanije, i vrarë më vonë në Teheran nga Izraeli.
Deri në mesin e kësaj jave, Aliu drejtonte Komisionin e Imamëve pranë Federatës së Organizatave Islamike në Zvicër (FIDS) dhe shërbente si autoriteti më i lartë teologjik i Bashkimit të Organizatave Islamike në Zürich (VIOZ). Në këtë rol mbante kontakte të rregullta zyrtare me autoritetet kantonale dhe komunale zvicerane.
Pas botimit të gjetjeve, FIDS e shkarkoi menjëherë nga detyrat, ndërsa vetë Aliu u detyrua të japë dorëheqjen nga të gjitha postet brenda VIOZ-it.
Qëndrimet kontroverse dhe udhëtimi në Doha
Gazeta zvicerane zbuloi një seri qëndrimesh kontroverse të imamit, mes tyre një postim të vitit 2017 ku ai e cilësonte paradën “Pride” në Prishtinë si një “paradë të turpit”. Organizatat zvicerane VIOZ dhe FIDS u distancuan prerazi, duke theksuar se qëndrimet homofobe ose që cenojnë dinjitetin njerëzor bien ndesh me parimet e tyre dhe me ligjin zviceran.
Pjesa më e rëndë e skandalit lidhet me një udhëtim të Aliut në Doha të Katarit në janar të vitit 2024. Atje ai mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Bashkimit Ndërkombëtar të Dijetarëve Muslimanë, një organizatë e lidhur ngushtë me Vëllezërit Muslimanë. Në të njëjtën veprimtari mbajti fjalim edhe shefi i atëhershëm i Hamasit, Ismail Hanije.
Drejtuesit e FIDS-it deklaruan se nuk kishin asnjë dijeni për pjesëmarrjen e Aliut në këtë konferencë, ndërsa VIOZ-i njoftoi se ai nuk kishte udhëtuar në emër të tyre dhe se çështja po i nënshtrohej verifikimeve të mëtejshme.
Dimensioni financiar dhe politik
Rasti ka marrë përmasa politike edhe për shkak të financimit publik. Nga viti 2017 deri në vitin 2025, kantoni i Zürich-ut i ka kaluar VIOZ-it rreth 2,5 milionë franga për projektin e kujdesit shpirtëror islamik në institucionet publike, përveç një mbështetjeje vjetore prej 50 mijë frangash nga vetë qyteti i Zürich-ut.
Burimi: insajderi.org









