DR. JORGJI KOTE
Më 9 Nëntor bëhen 37 vjet nga shembja e Murit të Berlinit që çoi në ribashkimin gjerman dhe europian. Për të është folur dhe shkruar shumë; edhe autori i këtyre radhëve ka botuar disa shkrime dhe librin « Berlini pa Mure » me rastin e 20 Vjetorit të shembjes së tij në Nëntor 2009.
Pranohet gjerësisht se Nëntori 1989 është fati historik i gjermanëve dhe i Europës. Ai nuk ishte ngjarje e rastit, që ndodhi spontanisht apo që u inskenua nga dikush. Për të u punua 28 vjet rresht pas ngritjes së Murit të Berlinit, me strategji, politika, masa dhe bashkëpunim të madh ndërkombëtar. Ndaj, nuk kishte kurfarë dyshimi se ajo do të ndodhte një ditë. Ishte thjesht çështje kohe. Ngjarjet e asaj dite vazhdojnë të tërheqin vëmendjen me plot hamendësime lidhur me të vërtetën.
Plenumi dhe Urdhëresa e re
Siç ka pohuar për publikun Egon Krenz, i cili në Tetor 1989 zëvendësoi Honeker në krye të Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore, paraditen e datës 9 Nëntor 1989 në Berlin ishte mbledhur Plenumi i X-të i KQ të asaj Partie; ndër të tjera aty u miratua Urdhëresa e re mbi udhëtimet e shtetasve gjermanolindorë në RFGJ. Në orën 12 të asaj dite, kjo Urdhëresë kaloi për miratim në Byronë Politike. Në orën 17:15, Egon Krenz takoi Günther Schabowski, Anëtar i Byrosë Politike dhe Shefi i Partisë për Berlinin, ku ia dorëzoi këtë Urdhëresë për ta njoftuar në Konferencën historike të Shtypit që do të zhvillohej pikërisht në atë mbrëmje.
Konferenca e Shtypit
Më 9 Nëntor 1989, në mbrëmje, në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit në “Ost-Berliner Mohrenstraße” zhvillohej një Konferencë Shtypi. Një orë përpara fillimit të Konferencës së Shtypit, në një zyrë të mbyllur dhe pa dritare të Agjencisë Qendrore të Lajmeve “ AND” të RDGJ-së, një burrë ngriti receptorin e telefonit në dhomën e Lajmeve të quajtur “Nëndetëse”; numri telefonik i thirur i përkiste Ricardo Ehrmann, korrespondentit për Berlinin Lindor të Agjencisë italiane të Lajmeve “ ANSA”.
Mendohet se ishte pikërisht biseda pararake ndërmjet këtyre dy të panjohurve që do të shënonte ndryshimin e rrjedhës së historisë së Berlinit, Gjermanisë dhe Europës së re të bashkuar.
Në orën 18:57 të datës 9 Nëntor 1989, Konferenca e Shtypit ishte në përfundim e sipër. Salla e shtypit në afërsi të Sheshit qëndror “Gendarmemarkt” ishte e tejmbushur. Kush vinte me vonesë, “dënohej” të qëndronte në këmbë. Korrespondenti i ANSA, Ricardo Ehrmann kënaqet me një vend në dysheme përpara podiumit. Aty ishte Shefi i Partisë Socialiste për Berlinin Lindor, në këtë rast Zëdhënësi i Partisë, Günther Schabowski. Atë mbrëmje, ai informoi median dhe shtypin për vendimin e ri mbi formalitetet lehtësuese për lëvizjen e berlinezëve lindore në pjesën perëndimore të Berlinit.
Pikërisht në momentet përmbyllëse të kësaj Konference Shtypi, Schabowski me një shënim të shkruar me dorë bën njoftimin sensacional se “ Shtetasit e RDGJ-së mund të udhëtojnë jashtë vendit për afate të shkurtëra kohore, pa qenë nevoja të plotësojnë ndonjë kusht” Në fakt, me këtë fjali lapidar ai kishte njoftuar realizimin e një ëndre për miliona gjermanë në të dy anët e kufirit. E megjithatë, gjermanishten burokratike të rregjimit vështirë se mund ta kuptonte njeri. Ndaj, Ricardo Ehrmann lëshon pyetjen vendimtare se kur do të hynte në fuqi kjo Urdhëresë e re. Sipas disa pjesëmarrësve në atë Konferencë, përpara tij kishte kërkuar të pyeste një gazetar amerikan, por Schabowski e kishte ndërprerë dhe e kishte kaluar mikrofonin te Ehrmann, tamam “sikur ta kishte bërë me fjalë”. Ky fakt ka ngjallur dyshime se aty kishte diçka të parapërgatiur, po të shtosh dhe bisedën e shkurtër telefonike të Ehrmann-it para Konferencës me një tjetër.
Sipas një versioni, Schabowski nuk e kishte lexuar deri në fund njoftimin dhe sidomos faktin që ajo Urdhëresë do të hynte në fuqi të nesërmen e asaj dite; për më tepër, kundrejt paraqitjes së disa dokumentave dhe një periudhe të caktuar kohore. Vetë Schabowski ka pohuar se ai e kishte vendosur tekstin e Urdhëresës poshtë disa shënimeve, ndaj dhe nuk po e gjente dot për ta lexuar. Në këtë kohë i është afruar dhe ia ka treguar një prej ndihmësve të tij. Kjo ka nxitur spekulimet se ishte ky ndihmës ia dha të gatshme “shënimin recetë”(Zettel) por që Schabowski nuk e ka pranuar. Gjithsesi, më e rëndësishme këtu është përgjigja që tashmë ka hyrë në librat e historisë e Gϋnther Schabows-kit me fjalinë e mëposhtme lapidar:
”Mesa di unë, ajo hyn në fuqi menjëherë, pa vonesë!” ( das tritt nach meiner Kenntnis, sofort, unverzüglich).
Shembja e Murit
Ishte pikërisht kjo fjali që shënoi fundin e Murit të Berlinit. Duke qenë se Konferenca po jepej “live”, Kryebashkiaku i Berlinit Perendimor dha menjëherë sinjalin dhe qindra mijra berlinezë u grumbulluan nga të dy anët e Murit. Rojet e kufirit tek Muri nuk dinin si të vepronin. Ca më tepër se më 3 Nëntor 1989, Egon Krenz kishte urdhëruar ndalimin e përdorimit të armëve në raste të tilla. Kurkush nuk ishte në komandë. Të gjithë prisnin. Përballë rezistencës që sa vinte e rritej si dallgë oqeani, forcat policore nuk bënë më rezistencë dhe muri filloi të çahej, atje, në pikën e tij më simbolike, tek Portat e Brandenburgut. Mesi i natës, duke u gdhirë 10 Nëntori e gjeti Murin në shembje, ndërsa mbi 2 milionë banorë të egzaltuar nga të dy pjesët e Berlinit që kërcenin, këndonin, brohoritnin mbi rënojat e “ kufirit më çnjerëzor që ka njohur ndonjëherë historia”, pa ditur se si ta nxirrnin gjithë atë dëshirë, mllef, urrejtje dhe entusiazëm!
Ndërkaq, lajmi mori dhenë dhe bëri xhiron e botës. Kancelari Kohl ndërpreu menjëherë vizitën në Poloni dhe bëri mbledhjen e Jashtëzakoshme të Qeverisë për situatën. 3 – 4 ditët e ardhëshme, mbi 4,5 gjermanolindorë shkuan në pjesën perendimore. Ishte kjo, siç e kanë cilësuar, “ nata më e gjatë dhe dita më e madhe” në historinë gjermane si edhe në atë europiane.
Versionet e historisë
Ndoshta atë që nuk është në librat e historisë mund ta dijë vetëm Ehrmann( 1929 – 2021) i cili kur ishte gjallë pohonte se për atë Konferencë Shtypi e kishte njoftuar “ një funksionar i lartë ” gjatë bisedës telefonike në “ nëndetëse”. Një njeri, një mik, siç thotë Ehrmann, i ishte lutur të bënte një pyetje në Konferencën e Shtypit mbi Vendimin e ri për udhëtimet jashtë vendit. Por pa treguar emrin dhe shkakun.
Pranohet gjerësisht se ky njeri mund të ketë qenë Günter Pötschke, në atë kohë Shefi i Agjencisë së Lajmeve AND. A mos donte ai që fare pak përpara fundit të sigurt ta shpëtonte RDGJ-në, nëpërmjet reformave? Kjo pasi pohohet gjithashtu se Pötschke kishte porositur edhe Schabowskin që t’ia jepte patjetër fjalën Ehrmannit. Por, këtë të fshehtë, Pötschke e ka marrë me vehte në varr qysh në vitin 2006. »Murhapësi” Günter Schabowski nuk e konsideron të besueshëm versionin e historisë sipas Ehrmannit. »Kjo është plotësisht absurde; gazetari Italian e kishte bërë pyetjen mbi Vendimin e ri mbi udhëtimet fare spontanisht” – ka pohuar vazhdimisht ai!? Schabowski jetoi në Berlin deri në vitin 2015 kur u nda nga jet ; ai ishte ndër të vetmit ish funksionarë të lartë të RDGJ-së që u distancua qartë dhe prerë nga rregjimi komunist. Ndërkohë që gazetari Ricardo Ehrmann në vitin 2008 u nderua nga Presidenti gjerman me Kryqin e Madh të Meritës.
Shënimi i shitur
Meqenëse përmendëm shënimin që shënoi shembjen e Murit të Berlinit, është interesante të përmendim se ky shënim i shkruar me dorë dhe që u lexua në Konferencën e shtypit në vitin 2014 u ble nga Muzeu Historik në Berlin. Me këtë rast Muzeu njoftoi se ai dokument me vlera të mëdha historike ishte shitur dy herë derisa ra në duart e tij. Kjo krijoi zhurmë në publikun dhe median gjermane, sidomos pas ngulmimit të Gazetës BILD për të mësuar emrat e dy shitësve të atij dokumenti. Mirëpo, Muzeu nuk pranoi të tregonte emrat e tyre, mbasi « prishej paqja dhe rehatia e pronarëve » dhe se e kishte ndaluar me kontratë ta bënte një gjë të tillë. Madje, Muzeu kishte shpenzuar 121.142 Euro për avoketërit e vet pikërisht që të mos zbuloheshin emrat e dy pronarëve të mëparshëm. Gjithsesi, BILD e hodhi çështjen ne gjyq dhe e fitoi.
Kështu u bë e mundur ekspozimi i faktit që herën e parë atë dokument e kishte shitur më 1/06/2006 Thomas Schalck Golodwski, djali i manjakut Aleksandër Golodwski, pjestar i elitës së Partise Komuniste të RDGJ-së. Pastaj, ky i fundit ia kishte shitur Uwe Krϋger-it, dhëndri i Gϋnter Mittag, ish anëtar i Byrosë Politike dhe Zv.Sekretar i Përgjithshëm i Partisë për Çështjet Ekonomike. Madje, Schalck pretendonte se ishte pronari i dokumentit. Ai ia shiti shënimin Muzeut me çmimin 12.500 Euro.
Pas kritikave të shumta, Muzeu pranoi se nuk e dinte që shitësit kishin patur lidhje me STASIN dhe ish nomenklaturën e kuqe gjermane.
Lidhur me këtë transaksion tregtar, Irini, ish bashkëshortja e Gϋnther Schabowskit, protestoi duke e konsideruar ”si shitje me gjak të ftohtë të një objekti të cilin ajo ia kishte dorëzuar dikujt në vitin 1990 por që nuk ia kishte kthyer”
Kësisoj, shënimi origjinal i Schabowskit që i çeli rrugën shembjes së Murit të Berlnit iu shtua dhjetra copërave të Murit të Berlinit që janë dhuruar nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë gjermane për homologët e tyre. Ato i gjen kudo, në zyrat dhe bibliotekat e presidentëve amerikanë, francezë, britanikë, italianë, në Vatikan, në muzeume dhe qendra kulturore, në sheshe dhe vende të tjera dhe në Tiranë te “ Postblloku”.
Gjatë lançimit të nismës për dhurimin e pjesëve nga muri disa vite më parë, ish Kryeredaktori i të famshmes gjermane BILD, Kai Dieckamn theksoi se « Muri që më parë ndante Gjermaninë sot është simbol i forcës së lirisë dhe vetëvendosjes; ai shërben edhe si kujtesë dhe garanci e përhershme se mure të tillë nuk do të ketë më kurrë»
Muret e sotme
Për fat të keq, edhe tani, 37 vjet pas shembjes së Murit famëkeq të Berlinit, mure gjithfarë llojesh po ngrihen sërish kudo, sidomos në Ballkan, ku edhe urat po kthehen në mure si ajo mbi Lumin Ibër në Mitrovicë. Ashtu siç e përshkruan aq bukur te poezia« Muret » poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu ato janë mure fizikë, ideologjikë, tariforë, krahinorë, racorë, anti-protestë, mediatikë, të dukshëm dhe të padukshëm, janë mure prej qelqi, hekuri, betoni…….Tani edhe në Tiranë dhe kudo, qeveria dhe Kryeministri Rama po ngrejnë me zell, ngut dhe tërbim policor mure dhe gardhe të rinj ndarës dhe përçarës midis popullit, medias, publikut, studentëve, shtresave të pambrojtura, madje edhe mes votuesve dhe protestuesve.
Mirëpo, mbasi përvoja e mëparshme dhe lëvizjet masive shoqërore që kanë shpërthyer ngado dhe në diasporë do të shembin çdo mur, gardh, gjobë dhe penalitet. Sepse siç e ka thënë Viktor Hygo « nuk ka ushtri që t’i rezistojë një ideje, të cilës i ka ardhur koha » Sa për qutokratët dhe diktatorët, historia e ka vërtetuar profecinë e Friedrich Mann se « të gjithë diktatorët do të kenë Waterlonë e tyre » Shqipëria ndoshta mund të vonohet ca, por nuk bën përjashtim nga kjo prirje madhore» Mjerë ata që nuk arrijnë ta shohin, kuptojnë dhe të reflektojnë !
Ja pse edhe ky 9 Nëntor është kambanë alarmi, kujtesë dhe kushtrim historik për t’u ngritur kundër mureve ndarës; duke ndërtuar sa më shumë nyje dhe ura lidhëse, bashkuese dhe integruese.
Burimi: gazetadita.al










