Partia Demokratike organizon sot një protestë të re në Tiranë, me mbështetësit e saj që kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahet tubimi.
Marshimi nga selia blu
Protestuesit u mblodhën në selinë blu dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Aty u pozicionuan dhe tani po vazhdojnë marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.
Në krye të grupit qëndrojnë deputetët demokratë Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti dhe Tedi Blushi. Kreu i PD-së, Sali Berisha, nuk është i pranishëm në protestë.
Protesta po zhvillohet e qetë, pa tensione, ndërsa policia është e pozicionuar pranë Kryeministrisë.
Thirrja e Berishës për qytetarët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e kishte paralajmëruar protestën pak ditë më parë. Ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së së shtunës, në mbështetje të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, të cilët janë përfshirë në protesta prej ditësh.
Berisha e cilësoi revoltën studentore si një përballje me qeverinë Rama dhe ftoi qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohen me atë që e konsideroi një protestë kundër qeverisë.
Burimi: tirananews.al









