Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Viti 2026 mund të jetë i dyti më i nxehti i regjistruar

Viti 2026 mund të jetë i dyti më i nxehti i regjistruar
Foto: ata.gov.al

PARIS, 7 nëntor /ATSH-AFP/ – Viti 2026 ka shumë gjasa të renditet si viti i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, pasi fenomeni klimatik El Nino, jashtëzakonisht i fuqishëm, po përforcon ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.

Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së, “Copernicus”, ekziston ende një mundësi prej 20 për qind që ky vit të barazojë ose të tejkalojë vitin 2024, i cili mban rekordin si më i nxehti i regjistruar.

Temperaturat globale në vitin 2026 pritet pothuajse me siguri të tejkalojnë pragun prej 1,5 gradësh Celsius mbi nivelet paraindustriale.

Edhe mesatarja katërvjeçare për periudhën 2023–2026 parashikohet të kalojë këtë kufi, i cili përbën objektivin kryesor të Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike.

Tetori më i nxehti i regjistruar

Sipas “Copernicus”, tetori ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me temperaturat mesatare globale të ajrit 1,75 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, duke shënuar muajin e tretë radhazi mbi pragun 1,5 gradë.

Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikimet Afatmesme të Motit (ECMWF), tha se tetori vijoi të karakterizohej nga ngrohje e jashtëzakonshme globale dhe temperatura rekord në sipërfaqen e oqeaneve.

Sipas saj, një fenomen El Nino jashtëzakonisht i fuqishëm po shton më tej nxehtësinë në një klimë që tashmë është ngrohur nga aktiviteti njerëzor.

Ky fenomen pritet të arrijë kulmin më vonë gjatë vitit dhe mund të bëhet më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë.

Çfarë është El Nino

El Nino është një fazë natyrore e ciklit klimatik që shkakton rritjen e përkohshme të temperaturave të ujërave në Oqeanin Paqësor tropikal, duke sjellë ndryshime të motit dhe duke rritur rrezikun e thatësirave dhe përmbytjeve.

Sipas parashikimeve, ndikimi i tij mund të bëjë që viti 2027 të jetë edhe më i nxehti i regjistruar.

Pasojat e ngrohjes globale

Paralajmërimet vijnë në një kohë kur bota po përballet me pasoja të rënda klimatike, përfshirë përmbytjet vdekjeprurëse në Nepal, valët e të nxehtit në Evropë dhe zjarret e mëdha në Indonezi.

Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 synon të mbajë rritjen e temperaturës globale shumë nën 2 gradë Celsius dhe të përpiqet ta kufizojë atë në 1,5 gradë krahasuar me periudhën paraindustriale.

Megjithatë, Kombet e Bashkuara paralajmëruan në shtator se objektivi afatgjatë prej 1,5 gradësh do të tejkalohet brenda pak vitesh.

Shkencëtarët theksojnë se ulja e emetimeve të gazeve serrë nga karburantet fosile mbetet thelbësore për të kufizuar tejkalimin e këtij pragu dhe për të rikthyer temperaturat në nivele më të ulëta sa më shpejt të jetë e mundur.// /Ad.Ab./ a.jor.

 

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha