Nga Ylli Pata
Dhuna si mjet politik, e cila ndezi Tiranën për dy javë me radhë, nuk u shfaq papritur. Molotovët dhe armët e tjera vdekjeprurëse të kësaj që quhet protestë qytetare, por që në fakt është thjesht një manovër politike, kanë ekzistuar në Shqipëri prej shumë vitesh. Një kryetare bashkie, e cila sot figuron edhe si nënshkruese e peticionit të “pedagogëve”, fliste në televizion në vitin 2019 për dashurinë e saj ndaj armës sovjetike antitank të bërë me shishe benzine dhe fitil.
Kthimi i kallashit dhe gjuha e dhunës
Rikthimi i kallashit, i armës 97, djegia dhe marrja me dhunë e pushtetit janë një refren i vjetër politik tek ne. Ndërkohë, me nisjen e Flamingo Revolution, të cilën shumë e shohin si paqësore, por që mbante brenda një dhunë verbale që i nxori jashtë loje bizneset e turizmit në vend për muaj të tërë, u fry gjuha e dhunës ndaj të gjithë atyre që mendonin ndryshe. E gjithë kjo është një strategji.
Bëhet fjalë për një logjikë apo platformë politike që nuk kërkon ndryshimin përmes procesit politik, por tronditjen dhe rrëzimin e procesit politik në fuqi.
Entuziazmi për humbjen e Aleksandër Vuçiçit në Serbi, i cili ndjek të gjitha gëzimet virale në zhvillimet e tjera ku gjenden variacione mbi të njëjtën temë, është krejt i parelevant.
Proces politik apo rrëzim i procesit
Një proces politik në Shqipëri për të arritur një ndryshim normal, pra për të sjellë një klasë apo gjeneratë tjetër, është krejt i mundshëm. Madje ka qenë i mundshëm prej kohësh. Por në këtë sipërmarrje nuk ka hyrë asnjëri prej aktorëve publikë më të zëshëm të kësaj përmbysjeje të dhunshme të Edi Ramës prej vitesh.
Një proces politik, i cili do të vinte natyrshëm siç ndodhi në Hungari apo në Serbi, maksimumi do të përmbyste klasën politike aktuale, por në fakt do t’i vijonte përpara të gjitha proceset e nisura, madje do t’i lehtësonte edhe më shumë, sidomos nëse ato gëzojnë mbështetjen e aleatëve perëndimorë.
Por tek ne nuk është synuar një proces politik, por një ndërprerje e procesit politik aktual, pra jo thjesht një rrëzim i Edi Ramës, por i gjithë procesit politik që ai ka nisur dhe kryer.
Ndodhi në kohën e armëve kimike për të ndaluar marrëveshjen me amerikanët, u sulmua marrëveshja për opozitën iraniane, u tentua ndalimi i reformës në drejtësi, më pas procesi i avancimit në BE dhe së fundi investimet e mëdha në Zvërnec e në Sazan.
Një proces politik sjell një zhvillim evolutiv, një ndjekje apo vijim të procesit dhe të projekteve.
Një proces i dhunshëm synon ndalimin, krijimin e një efekti dramatik, i cili do të ndërpresë jo një pushtet, por një zinxhir procesesh politike. Prandaj konflikti këtu është i madh.
Ndërsa në Serbi pamë një mbështetje të Perëndimit ndaj opozitës së studentëve, tek ne nuk është Perëndimi ai që mbështet dhunën, përkundrazi janë qarqe që vijnë nga stepat apo nga qarqet më lindore, që nga Irani, Rusia apo Turqia. Kjo e bën këtë lëvizje më komplekse, ku janë përfshirë aktorë e faktorë nga më të ndryshmit.
Kjo nuk është një përplasje politike, është gjeopolitike!
Burimi: tirananews.al









