Analisti Skënder Minxhozi vlerëson se situata me zgjedhjet në Serbi është e ndryshme nga ajo në Tiranë, ku po zhvillohen protesta nga studentët.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi deklaroi se në Serbi studentët kishin një projekt politik dhe sfiduan Aleksandër Vuçiç, ndërsa sheshet mbusheshin plot prej tyre.
Protestat në Tiranë dhe krahasimi me Serbinë
Sipas Minxhozit, në kryeqytet protesta duket si një tallava sheshi, ku askush nuk identifikohet dhe nuk shpreh qartë çfarë kërkesash ka.
“Mendoj se janë dy arsye, njëra e vjetër dhe tjetra e freskët. Arsyeja e vjetër është se opozita në Tiranë është përpjekur prej vitesh të ndërtojë paralele diskredituese Rama-Vuçiç, si një lloj aleance që i kundërvihet shqiptarëve, edhe pse Edi Rama ishte politikani i parë që i kujtoi Vuçiç se Kosova është realitet i pakthyeshëm. Është politikani që është përpjekur më shumë për të rritur numrin e njohjeve dhe ka bërë vetë diplomaci personale në favor të Kosovës. Opozita është përpjekur të ndërtojë një flirt politik Tiranë-Beograd, që sipas saj është në dëm të shqiptarëve.
Kauza e dytë është një përkim kozmik, zgjedhje në Serbi mes protestash atje. Me një projekt politik, ndërkohë që këtu kemi tallava sheshi, askush nuk identifikohet dhe nuk thotë çfarë do. Opozita sheh mirazhe, meqë iku Vuçiç në këtë formë, të ikë dhe Edi Rama. Vuçiç kishte oponencë e shesheve që nuk kishte asnjë lloj krahasimi. Ka pasur dinamikë tjetër. Ne, në qytetin e Tiranës, patëm raste sa veta kishte në shesh. Janë 100 mijë studentë dhe gjimnazistë të regjistruar. Ku janë? Kemi një qytet që është 600 mijë banorë? Flasim për shifra për të rrëzuar qeverinë. Pse duhet të shpallësh si opozitë protestë kombëtare, kur nuk bëjnë as 3 ose 4 mijë vetë? Ku është paralelizmi këtu?”, theksoi ai./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










