Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) publikoi sot një sërë të dhënash që krahasojnë nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026.
Këto shifra paraqesin një panoramë të zgjerimit të veprimtarisë së IKTK-së në disa drejtime kryesore: rritjen e të ardhurave, shtimin e investimeve, intensifikimin e projekteve të konservimit dhe kërkimit, si dhe forcimin e monitorimit arkeologjik dhe të kuadrit rregullator.
Rritja e të ardhurave dhe investimeve
Një nga treguesit më të rëndësishëm është rritja me 93% e të ardhurave krahasuar me vitin 2025. Paralelisht, investimet në pasurinë kulturore shënojnë një rritje prej 400%. Një fushë tjetër ku vihet re progres i rëndësishëm është ajo e projekteve të konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik. Sipas të dhënave, numri i projekteve është rritur me 282% krahasuar me vitin 2024, ndërsa rritja e raportuar ndaj vitit 2025 është 133%. Këto shifra pasqyrojnë një intensifikim të ndërhyrjeve në monumente dhe site arkeologjike, duke përfshirë konservimin, restaurimin, sondazhet, gërmimet dhe vëzhgimet arkeologjike.
Site të reja arkeologjike dhe kuadri rregullator
Si rrjedhojë, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në 9 muaj të vitit 2026, me shtrirje territoriale në Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Fier, Korçë, Ersekë, Pogradec, Divjakë, Sarandë etj. Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë një rritje të konsiderueshme të monitorimeve arkeologjike, me 279% ndaj vitit 2025.
Në mbështetje të këtij procesi, është bërë edhe zgjerimi i kuadrit rregullator. Numri i akteve nënligjore të miratuara arrin në 8 në vitin 2026, ndërkohë që IKTK evidenton edhe aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik, të cilat janë rritur me 32% ndaj vitit 2025, ndërsa krahasimi me vitin 2024 tregon një rritje prej 164%./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










