Akademia e Shkencave nderi kujtimin e akademik Alfred Uçit, një prej personaliteteve më të shquara të filozofisë, estetikës dhe mendimit kulturor shqiptar, i cili u nda nga jeta dhjetë vjet më parë, më 26 tetor 2016.
Alfred Uçi, pedagog dhe studiues i filozofisë
Alfred Uçi lindi në Korçë më 12 dhjetor 1930. Që në moshë të re u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Studimet e larta i ndoqi për filozofi në Universitetin “Lomonosov” në Moskë. Pasi u kthye në Shqipëri, për një kohë të gjatë punoi si pedagog i filozofisë dhe estetikës në Universitetin e Tiranës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e shumë brezave studiuesish, pedagogësh dhe intelektualësh shqiptarë.
Akad. Alfred Uçi iu përkushtua herët studimit të trashëgimisë së mendimit filozofik shqiptar dhe zhvilloi kërkime mbi figura të rëndësishme të kulturës kombëtare, si Jani Vreto dhe Teodor Anastas Kavalioti. Kontributi i tij shtrihej në estetikë, filozofinë e kulturës, historinë e ideve, teorinë e artit dhe studimet mbi identitetin, duke u bërë një nga themeluesit e shkollës shqiptare të studimeve estetike.
Drejtimi i institucioneve të kulturës dhe vepra shkencore
Gjatë viteve 1979–1986 ai drejtoi Institutin e Kulturës Popullore dhe njëkohësisht ishte kryeredaktor i revistës “Kultura Popullore” dhe i disa botimeve shkencore të këtij institucioni. Më pas, në vitet 1987–1990, mbajti detyrën e kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve dhe atë të ministrit të Kulturës. Pas kësaj periudhe iu kushtua plotësisht punës kërkimore-shkencore dhe botuese.
Veprimtaria e tij shkencore përfshin një numër të madh studimesh dhe veprash në fushën e estetikës, kulturës, folklorit, mitologjisë dhe letërsisë. Ndër veprat më të njohura të tij janë “Estetika, jeta, arti”, “Probleme të estetikës”, “Mitologjia, folklori, letërsia”, “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës”, “Shekspiri në botën shqiptare”, “Estetika në letërsinë shqipe”, “Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit” dhe “Estetika e folklorit”. Këto vepra përbëjnë një fond të rëndësishëm të mendimit teorik shqiptar dhe vazhdojnë të jenë referencë për studiuesit e shkencave humane.
Si profesor, akademik dhe autor i dhjetëra botimeve, Alfred Uçi dha një kontribut të shquar në zhvillimin e filozofisë, estetikës dhe kulturës shqiptare./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










