Opozita dhe disa përfaqësues të mazhorancës në Shqipëri e lidhin rezultatin e zgjedhjeve në Serbi dhe rënien e Vuçiç nga lëvizja studentore me situatën e protestave në vendin tonë. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Rama duhet të mësojë nga fati i ish-presidentit serb, ndërsa reagime pati edhe nga socialistët Veliaj, Majko e Spiropali.
Sipas Sali Berishës, fitorja e studentëve në Serbi e ka lënë Edi Ramën në Tiranë pa padronin e tij. Në një konferencë nga selia e Partisë Demokratike, Berisha tha se zhvillimi në Beograd do të ketë ndikim edhe në Tiranë.
“Rrëzimi i autokratit të Beogradit nga pushteti prej qytetarëve të Serbisë është një goditje e rëndë në brez për argatin e tij në Tiranë, narkodiktatorin Edi Rama, Padrinon e Shqipërisë që qeveris i bazuar në lidhjet e krimit, kartelet e drogës dhe vjedhjen e shqiptarëve si dhe duke shtypur me metoda policore terroriste studentët dhe qytetarët shqiptarë. Uroj që Rama të mësojë nga padroni i tij dhe të zgjedhë sa më shpejt midis fatit të padronit të tij në Beograd dhe Çaushit të Beogradit” tha Berisha
I pyetur nëse njëjtë si në Serbi mund të krijohet edhe një formacion politik në Shqipëri nga studentët dhe ta spostojë nga politika, Berisha ka këtë përgjigje:
“Partia Demokratike nëpërmjet strukturave të saj rinore, është aktive që nga momenti i parë e gjer sot në këtë protestë. Këtë e kam deklaruar dhe e deklaroj me përgjegjësi të plotë”
Rrëzimin e Vuçiçit në Serbi e përshëndetën edhe personalitete të rëndësishme të Partisë Socialiste. Interesant ishte reagimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili duket se mesazhet e kishte më shumë për Tiranën sesa Beogradin.
“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit! Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate” tha Veliaj.
Reagime të forta kishin edhe ish deputeti e senatori socialist Pandeli Majko dhe deputetja Elisa Spiropali.
“[Aleksandër Vuçiç] ishte simbol i një sistemi ku pushteti politik dhe interesat ekonomike ushqyen njëri-tjetrin. Pasoja, ishte çmontimi i shtetit administrativ! Ai e ktheu Serbinë në një shtet ku u përdorën ligjet, administrata dhe strukturat e sigurisë për të konsoliduar interesat e një grupi sundues të politikës, biznesit dhe krimit të organizuar” tha Majko
“Serbët shprehën masivisht me votë vullnetin e tyre për ndryshim, duke mbyllur kështu, ndoshta përgjithmonë, epokën e dominimit politik të Aleksandër Vuçiç. Zgjedhjet në Serbi na kujtojnë atë që gjithmonë e kemi ditur: se popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit të tyre, edhe përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme” tha Elisa Spiropali.
Si Berisha, Veliaj apo Spiropali përshëndetën arritjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që pas këtyre zgjedhjeve do të përfaqësohen me 2 deputetë në parlamentin serb.
Reagimi i Berishës për humbjen e Vuçiçit
Vuçiç humbi zgjedhjet në Serbi, Berisha: Duhet të ishte në burg në Hagë, bashkë me Ramën punuan për ndarjen e Kosovës! Urime shqiptarëve të Luginës (VIDEO)
Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar largimin nga pushteti të Aleksandër Vuçiç, i cili humbi zgjedhjet në Serbi përballë Listës Studentore.
Përmes një konference për mediat, Berisha tha se populli serb me votën e tij nxori nga pushteti një nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan, pas Sllobodan Millosheviçit.
Sipas Berishës, Vuçiç duhet të ishte para Hagës, ndërkohë që sipas tij, ish-presidenti serb dhe kryeministri shqiptar Edi Rama bënë gjithçka për ndarjen e Kosovës.
“Populli serb, me votën e tij nxori nga pushteti njërin nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviçit, njeriun që prej vitesh duhej të ishte në burgun ndërkombëtar të Hagës, Aleksandër Vuçiç, ish-badigardin e Sheshelit, birin e tij shpirtëror, pasardhësin e tij. Ai, me gangsterin tjetër të Ballkanit, narkodiktatorin e Tiranës, Edi Rama, bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës”, tha mes të tjerash Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi marrjen e 2 deputetëve nga ‘Koalicioni Shqiptar’ në Serbi si një ogur të bardhë për të gjithë shqiptarët.
“Por unë sot kam një urim shumë të përzemërt në emër të PD dhe në emrin tim për shqiptarët e Luginës së Preshevës, rezultatin e tyre historik në zgjedhjet e djeshme në parlamentin e republikës së Serbisë. Ata, pas bashkimit në një koalicion të vetëm, fituan dy mandate dhe kanë të tretin të mundshëm”, shtoi Berisha.
Një koment Berisha e kishte edhe për protestat e dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.
Duke theksuar se efektivët e Policisë po ushtrojnë ‘terror të egër’ mbi protestuesit, Berisha tha se të gjithë policët që ushtrojnë dhunë ‘për të mbrojtur Edi Ramën’, do të dënohen për krime të rënda.
“Sot unë jam këtu gjithashtu për të dënuar me forcën më të madhe terrorin e egër policesk të ushtruar jashtë të gjitha kushteve ligjore ndaj studentëve protestues, qytetarëve në protestë. Garantoj secilin prej atyre narko-mercenarëve që për 2500 euro shndërrohen në kafshë dhe jo njerëz ndaj të rinjve, vajzave, djemve, qytetarëve, që do të dënohen për krime të rënda, për aktet që ata kryejnë në mbrojtje të Padrinos së Shqipërisë, Edi Rama. Regjimi i Edi Ramës ka marrë fund”, përfundoi Berisha.
Qëndrimi i Spiropalit për zgjedhjet në Serbi
Vuçiç humbi zgjedhjet në Serbi, Spiropali: Populli votoi për ndryshim, drejtuesit e rinj të dëshmojnë gatishmëri për dialog me Kosovën
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka reaguar për zhvillimet politike në Serbi, ku Vuçiç humbi zgjedhjet e djeshme përballë Listës Studentore.
Spiropali i ka cilësuar këto zgjedhje si një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri për demokracinë dhe bashkëpunimin në rajon ku ka theksuar rëndësinë e respektimit të vullnetit të qytetarëve dhe të krijimit të një klime të re bashkëpunimi në Ballkan.
Në reagimin e saj, Spiropali u ndal edhe te marrëdhëniet Kosovë–Serbi, duke theksuar se përparimi i rajonit lidhet ngushtë me normalizimin e tyre.
Reagimi i Spiropalit:
Serbët shprehën masivisht me votë vullnetin e tyre për ndryshim, duke mbyllur kështu, ndoshta përgjithmonë, epokën e dominimit politik të Aleksandër Vuçiç.
Zgjedhjet në Serbi na kujtojnë atë që gjithmonë e kemi ditur: se popujt e kanë mundësinë dhe fuqinë ta ndryshojnë drejtimin e vendit të tyre, edhe përballë pushteteve që pretendojnë të jenë të përhershme.
Uroj që kjo zgjedhje të hapë një kapitull të ri për demokracinë në Serbi dhe bashkëpunimin në rajon.
Çka ndodhi në Serbi hap për Ballkanin një mundësi që duhet gjykuar hap pas hapi nga veprimet dhe reagimet që do të pasojnë. Siç theksoi kancelari Merz, ngecja në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi pengon përparimin e rajonit. Drejtuesit e rinj kanë rastin dhe mundësinë të dëshmojnë se ndryshimi përfshin edhe eleminimin e mendësisë shoviniste, gatishmërinë për dialog, zbatim të marrëveshjeve, dhe respekt për sovranitetin e Kosovës.
<
Burimi: shqiptarja.com










