Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Pse studentët serbë nuk i ngjajnë atyre në Tiranë

Pse studentët serbë nuk i ngjajnë atyre në Tiranë

Për të rrëzuar një qeveri, nuk mjafton thjesht ta urresh atë. Duhet të dish edhe se me çfarë do ta zëvendësosh.

Deri në orën 12:00, në Serbi kishin votuar 34.55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në vitin 2023, deri në të njëjtën orë, kishin votuar 21.3 për qind.

Sipas këtij trendi dhe logjikës elektorale, një pjesëmarrje masive në zgjedhje, në rrethana të tilla, zakonisht i favorizon opozitës. Megjithatë, duket se Vuçiqi sonte mund t’i humbasë zgjedhjet përballë një subjekti të ri politik, të quajtur Lista e Studentëve.

Çfarë përfaqëson Lista e Studentëve është çështje tjetër, por ajo që ka rëndësi është ngritja e saj e shpejtë politike dhe elektorale në një shtet që konsiderohet thellësisht jodemokratik dhe autokratik.

Lista e Studentëve në Serbi

Kjo listë ka dalë si rrjedhojë e protestave gati dyvjeçare të studentëve. Pra, edhe në shoqëritë ku demokracia konsiderohet e mposhtur nga një autokrat si Vuçiqi, pushteti mund të merret me zgjedhje. Megjithatë, paraprakisht, ata që synojnë ta bëjnë një gjë të tillë duhet ta bindin votuesin se, përveçse dinë të protestojnë, dinë edhe të ulen, të bëjnë marrëveshje dhe të lëshojnë pe.

Fillimisht me njëri-tjetrin.

Ajo që dua të them është kjo:

Në Tiranë po protestojnë studentët, Berisha, Mundësia, Bashkë, Shqipëria Bëhet, Shqipëria S’bëhet dhe lloj-lloj organizatash të tjera.

Sipas mendimit tim, këta nuk e meritojnë pushtetin, ndërsa Rama nuk e meriton të largohet për t’ua dorëzuar pushtetin atyre, derisa protestuesit, ose ata që i thërrasin protestuesit në shesh, nuk janë në gjendje të gjejnë gjuhë të përbashkët për një koalicion politik kundër Ramës.

Rama largohet, ose Rama mund të largohet, kur ata që janë në shesh, përveçse dinë të shajnë, të thyejnë, të djegin e të vjedhin, kanë aftësi edhe të ulen bashkë, të caktojnë kandidatin për kryeministër, të caktojnë listën për deputetë, të merren vesh për një program qeverisës, e pastaj t’i thonë Partisë Socialiste: Hajde t’i caktojmë zgjedhjet dhe të matemi.

Kështu nuk janë seriozë.

Nuk po them që nuk munden ta shkatërrojnë Shqipërinë, sepse ndoshta munden. Megjithatë, kush është dikush atje, me të cilin mund të flasë Uashingtoni a Brukseli?

Kush i përfaqëson këta njerëz? Kush merr përgjegjësi për ta? Kush është alternativa?

Shqipëria nuk është një shtet diku në fund të botës, për të cilin nuk ka interes bashkësia ndërkombëtare.

Edhe nëse klasa politike në Shqipëri nuk është serioze, edhe nëse qytetarët nuk janë aq seriozë, Shqipëria ka rastisur të jetë gjeografikisht interesante. Pastaj është edhe vend anëtar i NATO-s.

E çfarë tani? Një vend i NATO-s t’u dorëzohet turmave në shesh, vetëm pse ata janë pajtuar që secili prej tyre e urren Edi Ramën?

Jo, bukurosha.

Ju duhet të bëni edhe një marrëveshje tjetër. Përveçse e urreni Edi Ramën, duhet të dëshmoni se mundeni të pajtoheni edhe me njëri-tjetrin.

T’i tregoni botës se, nëse ju e merrni pushtetin, do ta bëni këtë gjë e atë gjë. Që keni një program, një kandidat, një listë, një adresë politike dhe një alternativë qeverisëse.

Deri atëherë, do të vazhdoni të dilni në shesh, të gjujtni gurë, duke pritur ndonjë gabim fatal të policisë, ndonjë viktimë, që pastaj situata të eskalojë edhe më shumë.

Krahasimi me protestuesit në Serbi

Këta që janë në shesh vazhdimisht e krahasojnë Ramën me Vuçiqin.

Shumë mirë.

A mundeni, atëherë, ta krahasoni edhe veten me protestuesit në Serbi?

Pse nuk jeni në gjendje ta bëni edhe ju atë që e kanë bërë ata atje?

Ata kanë protestuar për gati dy vjet. Pastaj janë ulur, kanë diskutuar, kanë bërë kompromise, kanë krijuar një listë zgjedhore dhe kanë dalë para qytetarëve me një alternativë.

Madje, një pjesë e partive opozitare kanë hequr dorë nga garimi me listat e tyre për t’i mbështetur studentët.

Pra, kanë kuptuar se për ta mundur Vuçiqin nuk mjafton vetëm urrejtja ndaj tij.

Duhet edhe marrëveshja mes atyre që duan ta mundin.

Kjo është ajo që nuk po e kuptojnë në Tiranë.

Sepse, për ta rrëzuar një qeveri, nuk mjafton të jesh kundër saj.

Duhet të jesh i aftë edhe ta zëvendësosh.

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha