Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Deputeti Spahia denoncon drejtorin e Policisë për kërcënim ndaj efektivëve

Deputeti Spahia denoncon drejtorin e Policisë për kërcënim ndaj efektivëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, gjatë një interviste televizive, denoncoi presionet dhe kërcënimet që drejtori i Policisë së Tiranës, Oligert Torba, ushtroi gjatë ditës së sotme ndaj efektivëve të komisariateve, me synim kryerjen e arrestimeve të shtetasve që nuk janë identifikuar si pjesëmarrës në protesta.

Spahia deklaroi se Torba ka mbledhur strukturat e policisë në komisariatet e Tiranës dhe iu është drejtuar efektivëve me fyerje e kërcënime, duke i kërkuar të identifikojnë personat me kapuçë dhe të arrestojnë protestuesit.

‘Legenë m…, ju që nuk keni identifikuar dot personat me kapuçë, pse nuk shkoni dhe arrestoni ultrasit që dalin dhe protestojnë’, citoi Spahia fjalët që, sipas tij, drejtori i Policisë së Tiranës u ka drejtuar efektivëve.

Presioni vazhdoi edhe pasi punonjësit e policisë argumentuan se nuk mund të arrestojnë qytetarë pa i identifikuar dhe pa pasur prova që kanë marrë pjesë në protesta ose kanë kryer veprime të kundërligjshme.

Presionet e drejtorit të Policisë së Tiranës

Sipas Spahisë, drejtori i Policisë së Tiranës ka ushtruar presion për kryerjen e arrestimeve edhe në mungesë të sigurisë për pjesëmarrjen e personave në protestë. Ai deklaroi gjithashtu se Torba ka kërkuar dhe propozuar masa disiplinore dhe transferime për disa inspektorë e punonjës policie nga komisariate të ndryshme.

‘Më lejoni të denoncoj edhe një fakt ekstremisht shqetësues, të ndodhur sot nga drejtori i Policisë së Tiranës, Oligert Torba, i cili ka mbledhur strukturat e Policisë së Tiranës të çdo komisariati, duke i ofenduar me fjalë masivisht banale, të tipit, më falni dëgjuesit që po na ndjekin, ‘legenë m…, ju që nuk keni identifikuar dot personat me kapuçë, pse nuk shkoni dhe arrestoni ultrasit që dalin dhe protestojnë’.

Me kërcënime nga më ekstremet dhe më banalet edhe për punonjësit e policisë të këtyre komisariateve, vetëm e vetëm për t’i shtyrë ata dhe për t’i detyruar të arrestojnë qytetarë, edhe pse nuk janë të identifikuar si protestues.

Nga ana tjetër, shqetësimi i këtyre inspektorëve, punonjësve të policisë, të cilët me të drejtë i kanë shpjeguar që nuk mund të arrestojnë qytetarë të cilët nuk i kemi identifikuar apo të cilët mund të mos kenë qenë pjesëmarrës në këto protesta, përsëri i ka kërcënuar me të njëjtat shprehje, me të njëjtat urdhra dhe me presionin për të bërë arrestime ndaj qytetarëve, edhe në qoftë se nuk është e faktuar që kanë marrë pjesë apo kanë kryer akte të kundërligjshme.

Në këtë kuadër dhe në vazhdim të kësaj, zoti Torba, apo le të themi oligark Torba, se t’i thuash zotëri është e tepërt, ka kërkuar dhe ka propozuar edhe vërejtje dhe transferime të shumta sot nga komisariatet e ndryshme të këtyre inspektorëve dhe punonjësve.

Po me fjalë, me fjalë banale madje, u është drejtuar efektivëve dhe drejtuesve të policisë për të bërë, për të kryer arrestime: ‘Pse nuk i keni identifikuar personat me maska?’

Edhe pas përgjigjes së punonjësve të policisë që nuk mund të arrestojnë njerëz të paidentifikuar, ai ka vazhduar me presionin që duhet të kryhen arrestime, qoftë edhe pa sigurinë që të kenë qenë pjesëmarrës.

Akuzat për persona të inkriminuar brenda policisë

Nga ana tjetër, nga burime të sigurta të miat, kam informacione të sakta që brenda strukturave të policisë, pra atyre me maska, ka persona të inkriminuar dhe persona rrugaçër, të cilët i shërbejnë strukturave të policisë të mbuluar me maska dhe kundrejt pagesës.

Kjo është një situatë ekstremisht shqetësuese dhe për të cilën unë dua t’i garantoj të gjithë ata që mendojnë se mund të dalin mbi ligjin dhe mund të veprojnë si në kohën e diktaturës, si në kohët më të errëta të diktaturës, dua t’i kujtoj se do të përballen shumë shpejt me ligjin.

Të gjithë do të identifikohen, të gjithë porositësit, urdhëruesit dhe ekzekutuesit e akteve kriminale, jashtëligjore, do të mbajnë shumë shpejt përgjegjësi dhe i inkurajoj gjithashtu edhe punonjësit e ndershëm të policisë t’i denoncojnë me forcë këto akte.

Në qoftë se nuk kanë kurajën t’i denoncojnë vetë, le të na i thonë ne, ashtu siç kanë bërë edhe sot, dhe do të jemi ne zëri i tyre dhe garantuesit e mbështetësit e ligjshmërisë në këtë vend.

Po, patjetër. Patjetër, patjetër. Shiko, problemi në këtë vend, që të jemi të qartë dhe tashmë besoj e kanë të qartë të gjithë qytetarët shqiptarë, është fakti që të gjithë urdhrat vijnë në formë vertikale nga ai që drejton çdo institucion dhe ka kapur çdo institucion në këtë vend, që nuk pyet tashmë as për ligj, as për Kushtetutë, as për të drejtat e njeriut, as për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të vet, dhe ky është Edi Rama.

Është evidente që të gjithë këta shërbëtorë të verbër të krimit të organizuar dhe të paligjshmërisë janë nën urdhrat dhe zbatojnë urdhrat vetëm të Edi Ramës.

Por të mos harrojnë që do të mbajnë përgjegjësi deri në një për çdo veprim të kundërligjshëm të tyre. Edhe për këto kërcënime që u bëjnë vartësve të tyre vetëm për t’i shërbyer Edi Ramës.

Nga ana tjetër, kemi parë po këta drejtues të Policisë së Shtetit, po me urdhër të Edi Ramës, të inskenojnë dhunë brenda protestuesve, vetëm e vetëm për të justifikuar pastaj dhunën e policisë ndaj tyre. Pra, ka një skenar kriminal.’, theksoi deputeti demokrat Bardh Spahia.

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha