Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Ani Gjika tregon rritjen në Shqipërinë e viteve 90

Ani Gjika tregon rritjen në Shqipërinë e viteve 90

Liria që shqiptarët sapo kishin fituar në vitet 1990 solli premtimin se njerëzit më në fund do të mund të vendosnin për jetët e tyre. Megjithatë, për një vajzë që kishte frikë të ecte vetëm në rrugë për të shkuar në shkollë, ky premtim dukej i largët dhe i paarritshëm. Edhe pse autoriteti shtetëror po tërhiqej nga jeta e përditshme, sytë që vëzhgonin trupin dhe sjelljen e saj vazhdonin të ishin aty. Çfarë kuptimi kishte liria, nëse sa herë dilje nga shtëpia shpresoje që askush të mos të vinte re?

Kjo është një nga pyetjet qendrore të librit autobiografik “Trupa të Panënshtruar” të poetes dhe përkthyeses shqiptaro-amerikane Ani Gjika. Gjatë bisedës sonë në Apostrof, ajo përshkroi si ishte të rriteshe si vajzë në Shqipërinë e fillimit të viteve 1990, e rrethuar nga një gjuhë që të detyron të mbash shumë të fshehta dhe që vë në dyshim përjetimet e tua negative. Një gjuhë ku edhe fjalët e përdorura për të shpjeguar çfarë ndodhte me vajzat, në vend që ta lehtësonin rrëfimin e tyre, vetëm sa e bënin më të vështirë shprehjen. Dhuna shpesh quhej “ngacmim” dhe të ndiqeshe nga dikush në rrugë nënkuptonte se ai të kishte qejf. Frika jote duhej të përballej me këmbënguljen e të tjerëve se asgjë serioze nuk kishte ndodhur.

Ani Gjika dhe libri “Trupa të Panënshtruar”

“Të dëgjuarit e trupit tënd,” përballë një sfondi të tillë, kthehet në një detyrë sfiduese ku, pasi një traumë e ke injoruar për një kohë të gjatë, duhet të mësosh nga e para si ta marrësh seriozisht atë. Gjika përshkruan se si iu desh të largohej nga një martesë, ndërkohë që kishte frikë të ishte vetëm. Të kuptuarit e asaj që ndiente, gjetja e fjalëve për t’i emërtuar ndjesitë dhe veprimi, morën kohën e tyre.

“Dashuria është një gjuhë, të cilën njerëzit mund ta shkruajnë vetëm së bashku kur janë gati, por gjithashtu të mos kenë frikë se dështojnë,” shkruan ajo. Ka diçka radikale në lejimin që një marrëdhënie të përfundojë, pa e trajtuar atë si dështim, duke i dhënë njëkohësisht kohë të dy personave që të pranojnë se gjërat që duan kanë ndryshuar ose se sapo kanë filluar ta kuptojnë.

Ndoshta fakti që shtimi i memoir-eve të mira në letërsinë shqipe, të shkruara nga gratë, na tregon shumëçka në lidhje me shkundjen e tipareve patriarkale të shoqërisë sonë. Historitë e tyre mund të ndryshojnë nga njëra-tjetra, por botimi i tyre ka të përbashkët bindjen se dëshmia e një gruaje për jetën e saj meriton vëmendje, edhe kur shqetëson jo vetëm status quo-në, por edhe njerëzit e tyre më të afërt. Gatishmëria për t’i shkruar këto histori dhe për t’i lexuar ato, mund të jetë një kut matës se sa shumë liria ka depërtuar më në fund në jetët individuale.

Bjorn Runa: Do të flasim për librin tënd “Trupa të panënshtruar”, që ka fare pak kohë që është përkthyer në shqip. Është një libër që na çon te përvoja jote si vajzë e re, adoleshente, që rritet në Shqipëri në fund të komunizmit, zhvendoset në Amerikë, bie në dashuri dhe gradualisht gjen fjalët dhe gjuhën për të treguar eksperienca që i ka mbajtur për vete për një kohë goxha të gjatë. Ka shumë sinqeritet në mënyrën si ti e sheh veten tënde atëherë dhe si e tregon historinë, përfshirë edhe momentet kur përpiqesh të kuptosh se çfarë kërkon nga jeta. Por, para se të flasim për të gjitha këto, do të doja ta prezantoje librin me fjalët e tua. Çfarë është ky libër? Për çfarë bën fjalë?

Ani Gjika: Libri bën fjalë për raportin me trupin dhe se si njeriu e humb atë raport kur është i rrethuar nga sisteme dhe një gjuhë që e nënshtron. Unë u rrita në Shqipërinë paskomuniste dhe adoleshenca ime ishte e rrethuar nga një gjuhë pyetëse ose sekrete. Kur lëvizja nga shkolla në shtëpi dhe nga shtëpia në shkollë, kishte shumë meshkuj që thoshin fjalë që të bënin të ndiheshe e vogël ose të kërkoje të ishe e padukshme. Kur e humb atë raport me veten, me trupin, ngaqë kërkon të bëhesh sa më e padukshme për shkak të këtyre mikroagresioneve ose mikrodhunës, duhet shumë kohë që ta gjesh përsëri veten dhe mundësinë për ta kuptuar e dëgjuar trupin tënd. Libri është një lloj udhëtimi për të rigjetur veten dhe për ta dëgjuar përsëri trupin. Mënyra si e bëj këtë është ndoshta përmes dëgjimit të gjuhës. Ngaqë jam shkrimtare dhe përkthyese, kam qenë gjithmonë shumë afër gjuhës dhe i kushtoj vëmendje. Kjo më ka ndihmuar gjatë procesit për të dëgjuar edhe trupin.

Jam kurioz pse vendose ta shkruaje librin në anglisht. A të ndihmonte distanca që të jepte kjo gjuhë ose mundësia për t’i parë gjërat më ftohtë?

Kjo është e thjeshtë si përgjigje, sepse anglishtja është gjuha që përdor përditë. Unë kam ikur nga Shqipëria në vitin 1996 dhe këto tridhjetë vitet e fundit kam jetuar në vende ku nuk kam shoqëri me të cilën të flas shqip. Flas shqip vetëm me prindërit, nganjëherë me vëllain, por jo dhe aq. Ai është më i vogël se unë dhe flet pothuajse gjithmonë anglisht. Edhe në punë jap mësim në anglisht. Kolegët flasin të gjithë anglisht dhe nuk kam shumë raste të flas shqip. Nuk para lexoj shumë letërsi shqipe; zakonisht lexoj poezi në shqip. Mendoj vetvetiu në anglisht dhe kam shkruar gjithmonë në anglisht që në kolegj. Ajo është gjuha që përdor për të shkruar, sepse aty ndihem më e natyrshme.

Liria dhe përvoja e vajzave në vitet 1990

Po thoshe për mënyrën se si shumë djem ose burra në atë periudhë i shikonin gratë dhe vajzat, duke i bërë të ndiheshin të vogla ose të padukshme. Ka disa pasazhe në libër ku përshkruani konfuzionin pas rënies së diktaturës dhe thoni që vajzave iu desh të paguanin çmimin më të shtrenjtë në këtë proces. Tregoni se kishit frikë të shkonit në shkollë vetëm, mendonit cilat rrugë duhet të zgjidhnit, ndërkohë që të rriturit rreth jush flisnin për lirinë dhe kishte ndoshta edhe një lloj entuziazmi për fillimin e ri. Çfarë do të thoshte liria për ju si vajzë që shpesh nuk ndihej e sigurt në rrugët e qytetit ku ishte rritur?

Liria ishte diçka që e ndieja jashtë, përtej kufijve, gjatë periudhës kur isha në shkollë të mesme. Ndihej si diçka që ishte ende jashtë, ose nganjëherë e shikoja përmes mënyrës se si shoqet e mia ndoshta ishin më të lira apo shpreheshin më kollaj. Unë ndoshta edhe nga natyra jam tip i ndrojtur, por besoj gjithashtu që kjo ndrojtje ka ardhur nga fakti që jam rritur në një periudhë në Shqipëri që ishte e vështirë për vajzat. Nga mosha dymbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë vjeç, kur ika që aty, ishin gjashtë vite të vështira, kur ndihesha gjithmonë e vëzhguar, në të njëjtën mënyrë si prindërit tanë janë ndier gjithmonë të vëzhguar nga sistemi. Liria ishte diçka e paprekshme për mua. Nuk them që ka qenë njësoj për të gjithë brezin tim, sigurisht jo. Për mua ishte e tillë.

Ju shkruani për djem që ishin shokët tuaj, me të cilët dikur luanit dhe që pastaj papritur kthehen në njerëz nga të

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha