Ka filluar edicioni i tetë i “Kolonisë së Piktorëve” në Kolonjë, me pjesëmarrjen e rreth 45 artistëve nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Gjatë katër ditëve, ata do të paraqesin në piktura bukuritë natyrore të kësaj krahine, duke u përqendruar veçanërisht te peizazhet e vjeshtës.
Nisma për një galeri arti në Ersekë
Fatmir Toçi, organizator i aktivitetit, thekson se në bashkëpunim me Bashkinë e Kolonjës po punohet për hapjen e një galerie arti në Ersekë, ku do të ekspozohen veprat e artistëve pjesëmarrës.
“Përafërsisht 45 piktorë vijnë çdo vit në stinën e vjeshtës për të marrë frymëzim nga transformimi që ka pësuar zona. Do ta çojmë deri në fund angazhimin e dhënë nga piktorët e ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, që përmes pikturave të tyre të krijohet së shpejti një galeri arti, me fokus kryesor peizazhet dhe pamjet e zonës”, u shpreh Fatmir Toçi.
Frymëzimi që ofron Kolonja për artistët
Për artistët, Kolonja përbën një burim frymëzimi në çdo stinë. Disa prej tyre tregojnë se kanë ndërtuar një lidhje të veçantë me këtë krahinë, të cilën e vizitojnë vazhdimisht për të pikturuar peizazhet e saj.
“Kolonia është vizita ime e tretë, por vij shpesh sepse është ndër rrugët që preferoj më shumë. Nga rrugët më të bukura të Shqipërisë për t’u pikturuar”, tha Arben Kristani.
“Vij për herë të shtatë, për mua Erseka është kënaqësi e veçantë sepse edhe në këtë periudhë ka natyrë të butë, kolorit të pasur, tonalitete të bukura dhe është kënaqësi të pikturosh. Vjeshta është më e bukura këtu. Ngjyra të mrekullueshme”, tha Emiona Stasi.
“Në koloninë e Ersekës, për peizazhin që të ofron ky vend. Shumë bukur, edhe pse koha e vrenjtur, natyra është fantastike, vjeshta e bukur”, tha Ardian Mashi.
Në përfundim të aktivitetit, veprat e realizuara gjatë katër ditëve do të prezantohen në një ekspozitë në Ersekë. Ato synohet të bëhen pjesë e fondit të galerisë së ardhshme të arteve pamore, duke promovuar përmes artit bukuritë e Kolonjës.
Burimi: euronews.al