Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Vdes në moshën 80-vjeçare Vladimir Uglev, shkencëtari i Novichok

Vdes në moshën 80-vjeçare Vladimir Uglev, shkencëtari i Novichok
Foto: reporteri.al

Vladimir Uglev, një nga shkencëtarët e përfshirë në zhvillimin e familjes së agjentëve nervorë Novichok, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur media investigative ruse The Insider, e cila raportoi se Uglev vdiq më 26 tetor, në qytetin turistik të Anapës, në jug të Rusisë, ku jetonte vitet e fundit.

Figura e njohur në zhvillimin e armëve kimike

Uglev ishte një nga figurat e njohura të programit sovjetik të zhvillimit të armëve kimike. Emri i tij mori vëmendje të gjerë ndërkombëtare në vitin 2018, pas helmimit të Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Anglisë.

Pas këtij incidenti, biokimisti dha një sërë intervistash për mediat, duke folur për karakteristikat dhe vetitë e agjentit nervor Novichok. Ai u prononcua gjerësisht edhe në vitin 2020, kur lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, u helmua me një substancë të kësaj familjeje.

Bashkëpunimi me median investigative

Vitet e fundit, Uglev kishte bashkëpunuar me median investigative The Insider, duke shërbyer si këshillues në hetimet mbi përdorimin e agjentëve nervorë Novichok nga shërbimet ruse të sigurisë. Ndër to ishte edhe një hetim i përbashkët i The Insider dhe Bellingcat, në vitin 2020, mbi prodhimin e Novichok në Rusi.

Hetuesi i The Insider, Christo Grozev, reagoi për vdekjen e tij përmes një postimi në rrjetin social X. Ai theksoi se, pavarësisht përfshirjes së tij në zhvillimin e kësaj substance, Uglev ishte bërë në vitet e mëvonshme një kritik i hapur i përdorimit të saj kundër civilëve. Sipas Grozev, ai kishte kundërshtuar publikisht edhe mohimet e Kremlinit lidhur me çështjet Skripal dhe Navalny.

Jeta dhe karriera

Vladimir Uglev lindi më 20 shtator 1946 në Kirovsk të Rusisë. Në vitin 1975 u diplomua në Institutin e Teknologjisë Kimike Dmitry Mendeleev në Moskë, në degën e kimisë dhe teknologjisë së substancave biologjikisht aktive.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 ai punoi si studiues i lartë në degën Volsk të Institutit Shtetëror të Kërkimeve Shkencore të Kimisë dhe Teknologjisë Organike (GosNIIOKhT), institucion i përfshirë në zhvillimin e agjentëve kimikë të luftës.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha