Policia ka nisur të hetojë një pistë tjetër për vdekjen e Urim Fikut, 53 vjeç, pasi një ditë më parë familjarët kishin njoftuar se ai ishte sulmuar nga një ari dhe kishte humbur jetën.
Gjetjet paraprake mbi trupin e viktimës
Sipas konstatimeve paraprake, në trupin e viktimës dyshohet se është gjetur një plagë që mund të jetë shkaktuar nga qitja e një arme zjarri. Për këtë arsye, policia i ka kthyer hetimet nga pista e vrasjes dhe ka nisur shoqërimin në polici të disa personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe rrethanat e saj.
Njoftimi i policisë së Bulqizës
“Rreth orës 14:10 të ditës së sotme, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë se familjarët e shtetasit U. F., rreth 53 vjeç, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ky i fundit dyshohet se ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër (ari).
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte humbur jetën.
Trupi i pajetë i shtetasit U. F. është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme”, njoftonte një ditë më parë policia e Bulqizës.
Burimi: top-channel.tv










