Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Fermerët përballen me mungesë punëtorësh gjatë vjeljes së ullirit në Greqi

Fermerët përballen me mungesë punëtorësh gjatë vjeljes së ullirit në Greqi
Foto: ata.gov.al

ATHINË, 4 nëntor /ATSH/ – Vjelja e ullirit në Greqi përballet me kërcënime serioze për shkak të mungesës së punëtorëve migrantë. Kjo situatë është shkaktuar nga pengesat diplomatike dhe rritja e ndjeshme e kostove të prodhimit, sipas ekathemerini.gr.

Vonesat me punëtorët e huaj

Pavarësisht një marrëveshjeje të vitit 2022 me Bangladeshin, vonesat procedurale në ambasadën greke në Nju Delhi i lënë fermerët pa fuqi punëtore të ligjshme. Vetëm dy punonjës përpunojnë 20 000 aplikime në pritje nga India, Bangladeshi, Sri Lanka dhe Nepali.

Të dhënat e Rojës Bregdetare tregojnë se rreth 7 200 shtetas nga Bangladeshi kanë mbërritur në Kretë dhe Gavdos gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026.

Kostot dhe çmimet

Prodhuesit raportojnë se mëditjet ditore kanë arritur në 70–80 euro, pa llogaritur shpenzimet e detyrueshme për strehim dhe ushqim. Ndërkohë, çmimet e vajit të ullirit kanë rënë nga 8 euro në 3.20–3.40 euro për kilogram, duke e bërë vjeljen të pafitimprurë për fermat e vogla.

Shoqata Kombëtare e Kooperativave Bujqësore (ETHEAS) vlerëson se nevoja vjetore për fuqi punëtore në bujqësi është midis 70 000 dhe 80 000 punëtorë.

Manolis Giannoulis, president i Organizatës Ndërprofesionale të Vajit të Ullirit, thotë se rreth 10% e prodhimit të këtij viti ka mbetur pa u vjelë në pemë, për shkak të kostove të larta dhe mungesës së punëtorëve.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha