BRUKSEL, 4 nëntor /ATSH/ – Rreth 50 milionë qytetarë në Evropë nuk kanë mundësi t’i ngrohin siç duhet banesat e tyre, ndërsa kontinenti po përgatitet të hyjë në dimër me rezervat e gazit në nivelin më të ulët që nga viti 2011, sipas euronews.com.
Rezervat dhe rreziqet për furnizimin
Përballë rritjes së çmimeve të energjisë dhe pasigurisë së furnizimit, Bashkimi Evropian po shqyrton masa për të mbrojtur familjet nga një krizë tjetër energjetike.
Sipas të dhënave të publikuara, më 20 tetor rezervat e gazit në BE ishin mbushur vetëm 74%, niveli më i ulët për këtë periudhë që nga viti 2011. Komisioni Evropian vlerëson se aktualisht nuk ekziston një rrezik i menjëhershëm për furnizimin, por pranon se kriza e çmimeve po merr gjithnjë e më shumë përmasat e një krize furnizimi.
Mbyllja prej gati tetë muajsh e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë, ka shtuar presionin mbi tregjet ndërkombëtare.
Çmimi i naftës Brent ka arritur në 110 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e gazit janë rritur me 140% që nga fillimi i luftës ndaj Iranit, duke kaluar për herë të parë që nga viti 2022 nivelin prej 100 eurosh për megavat-orë.
Masat e propozuara
Në takimin e zhvilluar më 29 tetor në Luksemburg, ministrat e Energjisë të vendeve anëtare diskutuan katër paketa të mundshme masash: uljen vullnetare të konsumit, uljen e objektivit të mbushjes së rezervave të gazit nga 90% në 80%, rritjen e importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe blerjet e përbashkëta, si dhe masa për uljen e faturave të energjisë.
Ndër propozimet përfshihet edhe instalimi i matësve inteligjentë në gjysmën e banesave evropiane deri në vitin 2030, me synimin për t’i ndihmuar familjet të kontrollojnë dhe të ulin konsumin.
Megjithatë, takimi përfundoi pa vendime konkrete apo detyrime të përbashkëta për vendet anëtare. Qeveritë kanë qëndrime të ndryshme për blerjet e përbashkëta të energjisë dhe taksat, ndërsa një marrëveshje për tarifat e rrjeteve energjetike nuk pritet përpara muajit dhjetor.
Perspektiva për dimrin
Komisioni Evropian thekson se BE-ja është më e përgatitur për të përballuar një krizë energjetike krahasuar me periudhën përpara pushtimit rus të Ukrainës, por situata mbetet shqetësuese.
Edhe nëse rezervat e gazit do të jenë të mjaftueshme për të përballuar dimrin, sfida kryesore mbetet kostoja që do të duhet t’i përballojnë familjet dhe konsumatorët evropianë. /os/
Burimi: ata.gov.al









