Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Fitorja e Ken Paxton-it dhe dështimi i basteve politike të Berishës

Fitorja e Ken Paxton-it dhe dështimi i basteve politike të Berishës
Foto: gazetadita.al

Nga Dori Xhima

Uashington / Tiranë – Një investigim i zgjeruar i revistës së njohur amerikane Mother Jones ka zbuluar disa ditë më parë prapaskenat e një rrjeti kompleks lobimi, mbledhjeje fondesh dhe përpjekjesh për ndikim politik që lidhin liderët e opozitës shqiptare, Sali Berisha dhe Fatmir Mediu, me figura kryesore të lëvizjes MAGA dhe Partisë Republikane në SHBA.

Lidhja kryesore e këtij aksit ishte Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, një nga aleatët më të ngushtë të Donald Trump. Megjithatë, kjo strategji pësoi një goditje të rëndë politike me humbjen e bujshme të Paxton në garën për Senatin amerikan përballë kandidatit demokrat James Talarico, i cili u bë demokrati i parë që fiton këtë sedilje në Teksas që nga viti 1988.

Mbledhje fondesh nga shqiptaro-amerikanët për fushatën e Teksasit

Sipas hulumtimit të Mother Jones, Fatmir Mediu (ish-ministër i Mbrojtjes) dhe Sali Berisha (kryetar i Partisë Demokratike) kanë shfrytëzuar udhëtimet e tyre në SHBA për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve për fushatën e Ken Paxton.
Gjatë konventës së republikanëve në Dallas, dy politikanët shqiptarë u fotografuan krah Paxton-it, një foto të cilën Berisha e publikoi më pas në platformën X.

Të dhënat e Komisionit Federal të Zgjedhjeve (FEC) dhe dëshmitë e mbledhura nga Mother Jones tregojnë se mijëra dollarë donacione nga shqiptaro-amerikanët rrodhën drejt arkës së Paxton.

Ahmet dhe Astrit Ulaj (vëllezër të biznesmenit Bashkim Ulaj) dhuruan përkatësisht 2,000 dhe 8,000 dollarë, ndërsa dy të afërm të tjerë të rinj dhuruan nga 5,000 dollarë secili.

Më 9 shtator, fushata e Paxton regjistroi 37,000 dollarë donacione pas një darke të organizuar nga komuniteti shqiptar. Dritan Nokshigi, pronar i një picerie ku u mbajt një prej aktiviteteve me Berishën dhe Mediun, konfirmoi se kishte dhuruar 5,000 dollarë vetëm për të darkuar me Berishën.

Tentativat e Mediut për të mbyllur çështjen e Gërdecit nëpërmjet Uashingtonit

Pas këtij lobimi intensiv qëndronin shqetësime ligjore mjaft serioze në Shqipëri. Mediu, i cili mbetet nën hetim dhe gjykim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për shpërdorim detyre lidhur me tragjedinë e Gërdecit të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona, ka tentuar të shfrytëzojë kontaktet e tij në Departamentin e Drejtësisë (DOJ) për të ushtruar presion ndaj prokurorëve shqiptarë.

Sipas burimeve të Mother Jones, Mediu u takua me zyrtarë të zyrës OPDAT pranë DOJ-së, zyrë që asiston dhe mbështet drejtpërdrejt SPAK-un, për të kërkuar ndërhyrje kundër asaj që ai e quante “politizim të drejtësisë”.

Ai u takua gjithashtu me Aaron Reitz, ish-zëvendësin e Ken Paxton, i cili shërbente në Departamentin e Drejtësisë.

Publikisht, Berisha dhe Mediu promovuan edhe një fotografi me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche, dhe zëvendësin e tij Stanley Woodward, duke e paraqitur si një “takim të rëndësishëm”. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë e përgënjeshtroi këtë për Mother Jones, duke sqaruar se ishte thjesht një foto e çastit në hollin e hotelit, e kërkuar nga vizitorët.

Kontrata dhe lobimi për vizën e Berishës

Investigimi zbardh gjithashtu se si Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA në vitin 2021 për “korrupsion madhor”, arriti të sigurojë një përjashtim nga kufizimet e vizës për të udhëtuar drejt Teksasit.

Partia Demokratike kontraktoi kompaninë e lobimit Continental Strategy LLP, ku bëjnë pjesë figura të lidhura me shefen e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe sekretarin Marco Rubio. Për këtë shërbim, kompania u pagua 750,000 dollarë nga fondacioni “Make Albania Great Again Foundation”, i themeluar nga sipërmarrësi shqiptaro-amerikan Nuredin Seçi. Kjo skemë financimi aktualisht po i nënshtrohet verifikimeve dhe hetimit nga SPAK.

Përveç kësaj, PD i ka paguar më shumë se 1.6 milionë dollarë kompanisë së Chris LaCivita, ish-bashkëdrejtuesit të fushatës së Trump, i cili u angazhua si këshilltar i Berishës për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Humbja e Talaricos në Teksas rrëzon kalkulimet e opozitës

Përpjekja e gjatë e Mediut dhe Berishës për të ndërtuar një urë shkëmbimi interesash me garën e Senatit në Teksas u përplas me realitetin zgjedhor. Ken Paxton, i ngarkuar me hije të shumta skandalesh etike, nga akuzat për mashtrim me letrat me vlerë deri te hetimet për shpenzimin e miliona dollarëve të taksapaguesve për udhëtime private, pësoi një humbje ndaj demokratit James Talarico.

Me fitoren e Talaricos, “basti” i opozitës shqiptare te figura e Paxton-it për të ndikuar mbi Departamentin e Drejtësisë apo mbi SPAK-un në Tiranë duket se ka mbetur pa asnjë mbështetje reale politike në Uashington.

DITA

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha