Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Shqipëria promovohet në World Travel Market London 2026

Shqipëria promovohet në World Travel Market London 2026
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Shqipëria po prezantohet në World Travel Market London 2026 me një program të pasur ngjarjesh, kulture, traditash dhe inovacioni.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga stenda e Shqipërisë në këtë panair, i cili konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së turizmit. Panairi zhvillohet në qendrën e ekspozitave ExCeL London, në Mbretërinë e Bashkuar.

Rama njoftoi se deri më 5 nëntor, stenda jonë në Londër do të shërbejë si pikë takimi për turizmin, artizanatin, gastronominë dhe përvojat digjitale, me qëllim të tregojë historinë e një vendi që meriton të përjetohet në çdo stinë.

Qëllimet e pjesëmarrjes

Pjesëmarrja në panairin që organizohet nga 3 deri më 5 nëntor është një mundësi për të promovuar bukuritë, kulturën, mikpritjen dhe përvojat unike që ofron vendi, si dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi me profesionistë dhe partnerë nga e gjithë bota.

Shqipëria synon të tërheqë vëmendjen e operatorëve turistikë, agjencive të udhëtimit, investitorëve dhe profesionistëve të sektorit, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi dhe partneritetesh me aktorë të rëndësishëm të industrisë globale të turizmit.

Rëndësia e panairit

World Travel Market (WTM) në Londër është një nga panairet më të mëdha dhe më prestigjioze ndërkombëtare të turizmit. Çdo vit mbledh profesionistë, operatorë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota.

Ky panair ofron një platformë unike për promovimin e destinacioneve turistike, zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe njohjen me trendet më të fundit të industrisë.

Edicioni i këtij viti ka mbledhur mbi 46 mijë pjesëmarrës, më shumë se 4 mijë ekspozues dhe përfaqësues nga mbi 180 vende të botës.

Përveç takimeve dhe marrëveshjeve të biznesit, panairi shërben edhe si hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e zhvillimeve më të reja në industrinë e udhëtimeve. Ndër temat e trajtuara përfshihen turizmi i qëndrueshëm, inovacioni teknologjik, ndryshimi i preferencave të turistëve dhe zhvillimi i përvojave autentike.

Synimet për tregun global

Prezantimi i Shqipërisë në një platformë të tillë ndërkombëtare ka rëndësi të veçantë për rritjen e dukshmërisë së vendit në tregun global, zgjerimin e bashkëpunimeve dhe promovimin e një oferte turistike që shtrihet përtej sezonit veror. Oferta përfshin turizmin kulturor, natyror, malor, kulinar dhe atë të aventurës.

Pjesëmarrja në World Travel Market London 2026 synon të forcojë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më konkurrues dhe tërheqës në hartën ndërkombëtare të turizmit.

/m.m/r.e/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha