Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Bordi i Transparencës shpall tarifat e reja të karburanteve

Bordi i Transparencës shpall tarifat e reja të karburanteve
Foto: lajmifundit.al

Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimin e karburanteve në vend.

Vetëm një ditë pas ndryshimeve të fundit, Bordi ka ulur sot çmimin e naftës dhe të benzinës.

Kështu, nafta do të shitet me 210 lekë për litër, nga 216 lekë për litër që ishte një ditë më parë. Ndërkohë, benzina do të tregtohet me 169 lekë për litër, nga 172 lekë për litër që ishte dje.

Vendimi i Bordit

Njoftimi i plotë:

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e radhës. Kështu, Bordi i Transparencës në datë 5 nëntor 2026 vendosi:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litri.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë i standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 169 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 157 lekë/litri.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 5, ora 13.45, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha