Një rekord botëror me 53 kartonë të kuq në një ndeshje të vetme. Ky është bilanci i sherrit që u shpërthye në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit U20 të shtetit brazilian Minas Gerais mes Uberlandia dhe Mamore.
Kaosi në stadium
Ndeshja u mbyll në kaos dhe me dëme të konsiderueshme në dhomat e zhveshjes të stadiumit Parque do Sabia. Lajmi bëri xhiron e botës dhe tërhoqi vëmendjen edhe të mediave angleze, të cilat i dedikuan një hapësirë të konsiderueshme këtij episodi.
“Në total,” shkruan BBC, “u ndëshkuan me karton të kuq 43 futbollistë dhe 8 anëtarë të stafeve teknike, ndaj të cilëve iu shtohen edhe dy drejtues të Uberlandia.”
Shkaku i incidentit
Sipas raportit arbitral, shkëndija u ndez në pjesën e dytë, pas golit që e çoi rezultatin në 3-1 për Mamore. Futbollisti Davi provokoi pankinën kundërshtare gjatë festimeve.
Trajneri i portierëve të Uberlandia hyri në fushë për t’u përballur me të, duke nisur një sherr masiv. Ndeshja u pezullua fillimisht për 40 minuta, por arbitri e ndërpreu përfundimisht, pasi nuk ishte e mundur të garantohej siguria.
Dëmet dhe pasojat
Policia ushtarake dokumentoi 14 porta të dëmtuara, dushe dhe dritare të thyera, si dhe stola, tavolina dhe ulëse të shkatërruara.
Rekordi i mëparshëm botëror ishte 36 kartonë të kuq, të regjistruar në 2011 në një ndeshje të divizionit të pestë të futbollit argjentinas.
Më pas, Uberlandia hoqi dorë nga zhvillimi i ndeshjes së dytë të gjysmëfinales, duke i lënë Mamore mundësinë të kalojë në finale me vetëm 7 lojtarë të disponueshëm. Klubi e përkufizoi këtë vendim si një veprim korrekt.
Burimi: www.albeu.com









