Shtëpia italiane e modës Prada ka zgjedhur t’i japë përparësi krijimtarisë njerëzore në fushatën e saj të re për Krishtlindje, duke iu larguar imazheve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe duke rikthyer animacionin tradicional të vizatuar me dorë.
Një fushatë e vizatuar me dorë
Fushata e titulluar “Drawing Prada: Animated By Hand” ndërthur pamjet filmike me personazhe dhe mjedise të animuara përmes vizatimit tradicional. Për realizimin e saj është angazhuar animatori me përvojë John Pomeroy, i cili ka udhëhequr një ekip artistësh për t’i dhënë jetë personazheve dhe skenave të fushatës.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale gjeneruese po përdoret gjithnjë e më shumë në industrinë e reklamave dhe modës, Prada e vendos mjeshtërinë artistike dhe punën e dorës në qendër të komunikimit të saj. Kjo zgjedhje vjen si një vlerësim për procesin krijues tradicional, në një industri ku automatizimi dhe ulja e kostove po ndryshojnë mënyrën e prodhimit të përmbajtjes vizuale.
Sipas shtëpisë së modës, ndjesia e prekjes shpreh një nocion themelor të njerëzimit dhe një lidhje me mjeshtërinë artizanale, e cila qëndron në thelb të qasjes krijuese të Prada-s.
Fushata është zhvilluar nën drejtimin kreativ të Miuccia Prada dhe Raf Simons, ndërsa Ferdinando Verderi ka mbikëqyrur drejtimin kreativ të saj. Çdo kuadër është vizatuar me dorë, kurse skenat filmike janë fotografuar nga Glen Luchford.
Në fushatë shfaqen edhe ambasadorë të njohur të markës, mes tyre aktorët Sadie Sink, Maya Hawke, Chen Haoyu, Luther Ford dhe Kelvin Harrison Jr.
Animatori John Pomeroy
Animatori John Pomeroy njihet veçanërisht për punën e tij në studion Disney, ku ka kontribuar në realizimin e filmave të njohur si “The Rescuers” (1977), “The Fox and the Hound” (1981), “Pocahontas”, “Fantasia 2000”, “Atlantis: The Lost Empire” dhe “Treasure Planet”.
Pas largimit nga Disney, ai themeloi studion e pavarur të animacionit Don Bluth Productions, duke punuar në filma si “The Secret of NIMH” dhe “The Land Before Time”. Gjatë karrierës së tij ka kontribuar edhe në projekte të tjera të animacionit, përfshirë “Curious George” dhe “Space Jam: A New Legacy”.
Në një video nga prapaskenat e fushatës, Pomeroy ka shpjeguar rëndësinë që ka për të ruajtja e teknikave tradicionale të animacionit, me të cilat është formuar si artist.
“E kam mësuar zanatin tim me laps dhe letër, përmes vizatimit tradicional, analog. Ne i kemi qëndruar besnikë kësaj qasjeje dhe dëshirojmë t’ua përcjellim atë brezave të ardhshëm”, ka thënë ai.
Sipas Pomeroy, animacioni i vizatuar me dorë ka ende një vlerë të veçantë dhe dëshmon se puna e realizuar me mjeshtëri njerëzore vazhdon të ketë vend në botën bashkëkohore./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










