Para se të ndërronte jetë në shkurt të vitit 2026, në moshën 53-vjeçare, aktori Eric Dane po punonte për kujtimet e tij, të titulluara “My Book of Days”. Në një prej pjesëve më personale të librit, ylli i serialit “Grey’s Anatomy” u ka shkruar letra dy vajzave të tij, Billie, 16 vjeçe, dhe Georgia, 14 vjeçe.
Në këto letra, aktori ka ndarë disa nga mendimet më intime për jetën, sëmundjen dhe gjërat që do të kishte dashur t’i kishte bërë ndryshe. Kur shkroi për pendesën e tij më të madhe, Dane nuk përmendi karrierën apo zgjedhjet profesionale, por kohën e kufizuar që kishte kaluar me vajzat.
“Vajza, koha është e çmuar. Mos e shpërdoroni kurrë, mos e humbisni kurrë. Sigurohuni ta ruani. Siç e kemi parë, nuk e dini kurrë sa kohë ju ka mbetur”, shkroi ai, sipas “USA Today”.
Frika nga përparimi i sëmundjes
Eric Dane kishte bërë publike në prill të vitit 2025 diagnozën me sklerozë laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje neurodegjenerative që prek qelizat nervore përgjegjëse për kontrollin e muskujve. Në letrat për Billie dhe Georgia, ai foli hapur edhe për frikën që shoqëronte këtë përballje.
“Billie dhe Georgia, nuk mendoj se kam frikë nga vdekja, por nga përparimi i sëmundjes deri në vdekje”, u shkroi ai vajzave, duke pranuar se diagnoza kishte ardhur në një moment veçanërisht të vështirë të jetës së tij.
Aktori shprehu gjithashtu trishtimin që nuk do të mund të shihte se si do të rriteshin vajzat dhe çfarë gratë do të bëheshin në të ardhmen. Ai përshkroi me detaje mënyrën se si i imagjinonte ato pas dhjetë vitesh, duke u shprehur se i shihte të bukura, të sigurta në vetvete dhe të forta.
“Ju të dyja jeni trashëgimia ime, zemra ime, gjithçka ime”
Mesazhi për vajzat
Në një prej pjesëve më emocionuese të letrës, Dane u kërkoi vajzave të mos përsërisnin gabimet e tij dhe të mësonin nga përvojat e vështira që kishte kaluar.
“Ju lutem, mos ndiqni hapat e mi. Merrni përvojat e mia negative si një rrëfim paralajmërues”, shkroi ai, duke pranuar se kishte bërë shumë gabime dhe se jeta e tij kishte qenë e mbushur me pengesa.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje që do të kishte dashur të ndryshonte, aktori e bëri të qartë se vajzat ishin gjëja më e rëndësishme që kishte lënë pas.
“Ju të dyja jeni trashëgimia ime, zemra ime, gjithçka ime”, përfundoi ai mesazhin, duke shprehur krenarinë për vajzat dhe gratë e reja që ato po bëheshin.
Edhe në një videomesazh të publikuar pas vdekjes së tij, Dane u rikthye te e njëjta ide: dashuria për vajzat dhe rëndësia e të jetuarit në momentin e tashëm. Një mesazh që, përmes kujtimeve dhe fjalëve të tij të fundit, merr një domethënie edhe më të fortë.
Burimi: anabelmagazine.com










