BAKU, 28 tetor /ATSH/ – Forumi VII Botëror për Dialogun Ndërkulturor u hap në Baku me temën “Dialog për një të ardhme të përbashkët: ndërtimi i urave në një botë të ndarë”, në të cilin mori pjesë edhe Shqipëria, sipas një njoftimi të ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.
Ky aktivitet ka mbledhur më shumë se 500 të ftuar nga mbi 100 vende.
Fjala e presidentit Aliyev në hapje
Duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev theksoi rëndësinë e multikulturalizmit, të tolerancës fetare dhe etnike, të diversitetit kulturor dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë midis popujve.
Presidenti Aliyev vuri në dukje se Azerbajxhani ka shërbyer për shekuj me radhë si urë kulturore midis Evropës dhe Azisë, ku komunitete të ndryshme etnike dhe fetare kanë bashkëjetuar në një atmosferë respekti të ndërsjellë.
Ai theksoi se të gjitha grupet etnike dhe fetare në vend gëzojnë të drejta të barabarta dhe se harmonia shoqërore mbetet një nga themelet e stabilitetit dhe të zhvillimit të Azerbajxhanit.
Pavarësisht nga sistemet nën të cilat kishin jetuar azerët përgjatë historisë, ata arritën të ruanin vlerat, gjuhën, traditat dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Programi i forumit dhe pjesëmarrja e Shqipërisë
Programi i Forumit për datat 27-28 tetor përfshin diskutime ndërkombëtare dhe sesione panelesh të përqendruara te dialogu ndërfetar, trashëgimia kulturore, arsimi, shkenca dhe ruajtja e vlerave multikulturore në një botë gjithnjë e më digjitale.
I zhvilluar që nga viti 2011 në kuadër të Procesit të Bakusë, i nisur me iniciativën e presidentit Aliyev në vitin 2008, Forumi është shndërruar në një platformë ndërkombëtare për dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar.
Shqipëria përfaqësohet në këtë Forum nga akademik Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Hoxha theksoi rolin e shkencave humane në nxitjen e dialogut midis kulturave, duke vënë në dukje se, ndërsa teknologjia i lidh njerëzit, është kultura ajo që i afron vërtet me njëri-tjetrin.
Ai iu referua gjithashtu bashkëpunimit akademik në rritje midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, përfshirë prezantimet e përbashkëta të botimeve historike, të organizuara me Ambasadën e Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë dhe shprehu interesin për forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve./ /Ad.Ab./ a.jor.
Burimi: ata.gov.al









