Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

UNESCO paralajmëron rrezikun e zhdukjes së trashëgimisë audiovizive

UNESCO paralajmëron rrezikun e zhdukjes së trashëgimisë audiovizive
Foto: kultplus.com

Filmat e vjetër, incizimet zanore dhe dokumentet historike rrezikojnë të zhduken përgjithmonë, ndërsa UNESCO kërkon mbrojtje të menjëhershme të trashëgimisë audiovizive, e cila ruan kujtesën, kulturën dhe identitetin e shoqërive.

Me rastin e Ditës Botërore të Trashëgimisë Audiovizive, që shënohet më 27 tetor, organizata ndërkombëtare thekson rëndësinë e ruajtjes së materialeve që dokumentojnë jetën e brezave të shkuar. Me temën “Dritarja juaj drejt botës”, shënimi i këtij viti nënvizon rolin e filmave dhe incizimeve zanore në lidhjen mes kulturave dhe në përcjelljen e kujtesës kolektive.

Këto materiale përmbajnë shumë më tepër sesa pamje dhe tinguj. Ato ruajnë muzikën, gjuhët, fjalimet, lajmet dhe dëshmitë e ngjarjeve që kanë ndikuar në zhvillimin e shoqërive, duke u mundësuar brezave të rinj të njohin më nga afër të kaluarën.

Ruajtja e arkivave në Somali dhe Zambi

Një nga nismat e mbështetura nga UNESCO është ruajtja dhe digjitalizimi i rreth 45 mijë incizimeve në shirita analogë të Radio Mogadishu në Somali. Koleksioni përfshin lajme lokale, fjalime politike, programe argëtuese, muzikë dhe rrëfime nga jeta e përditshme, duke përfaqësuar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit.

Në rrezik janë edhe koleksionet audiovizive të Korporatës Kombëtare të Transmetimeve në Zambi, të cilat dokumentojnë periudha të rëndësishme të historisë së Afrikës Jugore. Dëmtimet nga fatkeqësitë natyrore, kushtet e papërshtatshme të ruajtjes dhe vjetërsimi i pajisjeve e formateve teknologjike kërcënojnë mbijetesën e këtyre materialeve.

Përmes restaurimit dhe digjitalizimit, specialistët synojnë të ruajnë incizimet dhe t’i bëjnë ato të qasshme për publikun edhe në të ardhmen. Kalimi në formate moderne është thelbësor, pasi disa materiale mund të bëhen të palexueshme ose të papërdorshme, nëse pajisjet e nevojshme për riprodhimin e tyre zhduken.

Programi “Kujtesa e Botës” dhe rëndësia e arkivave

Përpjekjet për mbrojtjen e këtyre koleksioneve lidhen edhe me programin “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s, të themeluar më 1992, i cili synon ruajtjen e trashëgimisë dokumentare dhe sigurimin e qasjes në të për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm.

Trashëgimia audiovizive ka një rëndësi të veçantë, sepse përmes saj ruhen jo vetëm ngjarjet historike, por edhe gjuhët, traditat, shprehjet artistike dhe përvojat e njerëzve, të cilat përbëjnë identitetin e komuniteteve.

Mesazhi i kësaj dite është se ruajtja e arkivave nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve dhe specialistëve, por edhe një detyrim kulturor i shoqërisë. Çdo film, incizim muzikor apo kronikë historike mund të përmbajë një dëshmi të pazëvendësueshme, humbja e së cilës do të varfëronte kujtesën tonë të përbashkët./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha