HAMBURG, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Rreth 50 protestues bllokuan mëngjesin e sotëm hyrjet e një ndërtese universitare, në prag të protestave kombëtare të të rinjve që pritet të mbahen të shtunën në Gjermani.
Siç bën me dije policia, protesta u organizua në kampusin e arteve dhe medias “Finkenau”, i cili është pjesë e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Hamburgut (HAW).
Në fillim demonstrata nuk ishte e regjistruar, por u njoftua zyrtarisht rreth orës 07:30.
Një gazetar raportoi se hyrjet e godinës ishin bllokuar me barriera ndërtimi dhe kosha mbeturinash.
Megjithatë, një zëdhënës i universitetit e minimizoi ndikimin e protestës, duke deklaruar se demonstruesit nuk i kishin penguar studentët dhe personelin të hynin në ndërtesë.
“Veprimtaria po vazhdon normalisht. Asnjë aktivitet nuk është anuluar”, tha zëdhënësi.
Kërkesat e protestuesve
Protestuesit mbanin pankarta që u bënin thirrje qytetarëve të bashkoheshin me demonstratat e së shtunës, të cilat synojnë të mbështesin arsimin dhe drejtësinë sociale.
“Për një jetë më të mirë dhe të përballueshme për të gjithë”, bërtiti njëri prej protestuesve përmes megafonit.
Më pas, demonstruesit brohoritën “të pasurit duan luftë, të rinjtë duan një të ardhme”.
Ata kërkuan gjithashtu 100 miliardë euro financime për arsimin dhe shërbimet sociale, duke e vendosur këtë kërkesë në qendër të mobilizimit të tyre.
Protesta të ngjashme në vende të tjera
Protesta të ngjashme të të rinjve janë zhvilluar edhe në Francë, Spanjë dhe Itali.
Megjithatë, Gjermania deri më tani nuk ka përjetuar një valë të krahasueshme demonstratash.
Tubimet e planifikuara për të shtunën pritet të tregojnë nëse pakënaqësia e të rinjve do të shndërrohet në një mobilizim më të gjerë në shkallë kombëtare./ /Ad.Ab./ a.jor.
Burimi: ata.gov.al









