Ambasadori dhe Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka, ka pritur regjisoren Blerta Basholli dhe producentin Valon Bajgora, pjesë e ekipit të filmit “DUA”, i cili është propozimi zyrtar i Kosovës për çmimet Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Përmes një postimi, Reka njoftoi se gjatë këtij muaji filmi “DUA” do të shfaqet para publikut në New York. Filmi sjell një rrëfim që trajton kujtesën dhe historinë, përtej kufijve të Kosovës, sipas KultPlus.
Ai vlerësoi punën dhe përkushtimin e ekipit krijues, duke theksuar se artistët e filmit “DUA” e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare përmes talentit dhe krijimtarisë së tyre.
Krenari për realizimin e filmit
Reka shprehu krenarinë për realizimin e filmit dhe u uroi suksese regjisores, producentit dhe gjithë ekipit në rrugëtimin drejt Oscar-it. KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










