BRUKSEL, 10 nëntor /ATSH – ANSA/ – Sulme kibernetike që kohët e fundit kanë synuar sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarkete mund t’i zgjerohen edhe pajisjeve shtëpiake dhe routerëve të internetit në banesa.
Paralajmërimi i ENISA-s
Paralajmërimin e bëri Juhan Lepassaar, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP. Ai bëri thirrje që Evropa të rrisë investimet për t’u përballur me kërcënime gjithnjë e më të mëdha në hapësirën digjitale.
Pretendimet për Iranin dhe aktorët e tjerë
Lepassaar nuk komentoi pretendimet e Francës se Irani qëndron pas sulmit ndaj pajisjeve ngrirëse. Ai theksoi, megjithatë, se është e njohur që aktorë të lidhur me shtete si Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia kanë Evropën në shënjestër.
Sipas tij, zgjerimi i këtyre kërcënimeve kërkon më shumë vëmendje dhe investime për forcimin e sigurisë kibernetike në të gjithë kontinentin.
Burimi: ata.gov.al









