Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Britania arreston një zyrtar të lartë ushtarak amerikan

Britania arreston një zyrtar të lartë ushtarak amerikan
Foto: reporteri.al

Një zyrtar i lartë i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara u arrestua në Britaninë e Madhe, nën dyshimin se i kishte ndihmuar inteligjencës ruse.

Sipas policisë britanike, i 41-vjeçari u arrestua të martën pranë qytetit Gloucester, në perëndim të Anglisë, dhe aktualisht po mbahet në një stacion policor në Londër, transmeton Reuters, sipas Insajderit.

Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura, si dhe për ndihmë ndaj një shërbimi të huaj inteligjence. Hetimi zhvillohet sipas dy neneve të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023.

Hetimi dhe pjesëmarrësit

Policia ka konfirmuar se pretendimet nën hetim kanë të bëjnë me Rusinë. Autoritetet kanë nisur gjithashtu kontrolle në dy lokacione në qarkun Gloucestershire.

Në hetim janë përfshirë njësitë britanike kundër terrorizmit, autoritetet amerikane, Ushtria Amerikane dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI).

Reagimet nga Uashingtoni

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e ka cilësuar arrestimin si çështje me rëndësi të veçantë për sigurinë amerikane dhe për aleatët e saj.

“Ky arrestim i rëndësishëm përfshin pretendime për spiunazh, gjë që është shqetësim i jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, ka deklaruar Patel.

Gjenerali i brigadës Sean Stinchon, komandant i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, ka thënë se rasti është kujtesë se kërcënimet mund të vijnë edhe nga brenda institucioneve që kanë qasje në informacione të ndjeshme.

“Veprimet e pretenduara të një ushtaraku të lartë, të cilit i janë besuar informacione sensitive, janë kujtesë shqetësuese se kërcënimet e brendshme janë reale dhe të vazhdueshme”, ka deklaruar ai.

Hetimet po udhëhiqen nga njësia kundër terrorizmit në Londër dhe vazhdojnë. Policia britanike ka bërë të ditur se ky rast nuk lidhet me hetime të tjera aktuale të njësive kundër terrorizmit. /Insajderi.org/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha