Humbja e një gruaje nuk shënon vetëm fundin e jetës së saj, por edhe nisjen e një realiteti të ri e të dhimbshëm për familjarët që mbeten pas.
Milihate Cokli, nëna e Erona Coklit, e vrarë nga ish-bashkëshorti në vitin 2024, rrëfen se kishte kërkuar mbrojtje institucionale për të bijën, por shqetësimet e saj nuk ishin marrë seriozisht.
Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor, pasi ajo kishte njoftuar të gjitha institucionet përgjegjëse për rrezikun që i kanosej, ia ka rikthyer Coklit kujtimet e betejës së saj.
Ajo kujton një ditë kur kishte shkuar në vendin ku punonte Erona, sepse, sipas saj, ish-partneri i vajzës nuk e linte të qetë as gjatë orarit të punës. Në atë moment, Erona kishte dalë jashtë dhe e kishte përqafuar nënën.
“Nënë, ky nuk më lë rehat”, i kishte thënë ajo.
Pas kësaj ngjarjeje, Cokli u paraqit në polici për të denoncuar kërcënimet ndaj vajzës së saj. Megjithatë, përgjigjja që mori nga institucionet, sipas saj, ishte zhgënjyese.
Ajo sjell ndër mend bisedën me një hetuese, e cila, siç tregon Cokli, e kishte pyetur se çfarë nëne ishte që nuk e linte vajzën të merrte vendimet e veta. Cokli thotë se ishte larguar duke qarë, pasi kishte shpjeguar se Erona kërcënohej dhe se ajo kishte frikë për jetën e saj.
“Unë si nënë kam kërkuar ndihmë për vajzën time, më bartnin si një leckë sa andej-këndej”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Vrasja e Eronës e ka ndryshuar përgjithmonë jetën e familjes, shprehet Cokli, e cila tash kujdeset për djalin që vajza e saj la pas.
“E kam nipin që e llogaris si djalin tim. Por, pa buzëqeshjen e Eronës, atmosfera në shtëpi nuk është si më parë”, thotë ajo.
Përveç dhimbjes së humbjes, nëna thotë se nuk e ndien se është vendosur drejtësi për vajzën e saj. Ajo e konsideron tepër të lehtë dënimin prej 24 vjetësh burgim për autorin e vrasjes.
Cokli kërkon që institucionet të ndryshojnë mënyrën se si reagojnë ndaj grave dhe familjarëve që u drejtohen për ndihmë.
“Nuk duhet të tallen me vajza apo nëna që kërkojnë ndihmë”, thotë ajo për REL.
Kërkesa e Valdete Osmanit për mbrojtje dhe përgjegjësi institucionale
“Nuk dua që vajzat tona të kujtohen vetëm pasi të mos jenë më gjallë”
Të njëjtën kërkesë për mbrojtje dhe përgjegjësi institucionale e ngre edhe Valdete Osmani, nëna e Marigona Osmanit, e cila u vra në moshën 18-vjeçare në vitin 2021.
“Nuk dua që vajzat tona të kujtohen vetëm pasi të mos jenë më gjallë. Dua që ato të mbrohen, të dëgjohen dhe të ndihen të sigurta”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Marigona është pjesë e kujtimeve të saj të përditshme, bashkë me buzëqeshjen, sytë ngjyrë kafe dhe ëndrrat që nuk pati mundësi t’i realizonte.
“Ajo nuk ka qenë veç një emër në lajme, ka qenë vajza ime”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Familja është përballur jo vetëm me mungesën e Marigonës, por edhe me rikthimin e vazhdueshëm te rrethanat e vdekjes së saj.
“Procesi gjyqësor ka qenë shumë i vështirë për neve si familje sepse çdo herë është dashur të përballemi me atë që i ka ndodhur vajzës tonë”, thotë ajo.
Osmanit i mbetet gjithashtu peng bindja se tragjedia mund të ishte shmangur. Ajo thotë se familja kishte kërkuar ndihmë nga policia përpara ngjarjes, por nuk ishte marrë seriozisht.
“Si nanë, është shumë e rëndë të mendosh që ke kërkuar ndihmë dhe prapë ke përfunduar duke e humbur vajzën”, thotë ajo.
Ajo nuk mund të thotë me siguri nëse një reagim i institucioneve do ta kishte ndryshuar fatin e Marigonës, por kërkon që çdo denoncim dhe shqetësim të trajtohet me seriozitet dhe pa vonesa.
“Unë si nënë nuk mund ta kthej Marigonën, por do të doja që prej rastit të saj të nxirren mësime dhe që askush tjetër mos të kalojë nëpër dhimbjen që po e përjetojmë ne”, thotë Osmani.
Gjashtë javë pritje për Donjetën
Gjashtë javë pritje për Donjetën
Shkëlqim Pajazitaja, vëllai i Donjetës, e përshkruan si periudhën më të vështirë kohën prej gjashtë javësh, kur familja nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Trupi i Donjetës u gjet i pajetë në dhjetor të vitit 2015, ndërsa autori i vrasjes ende nuk është identifikuar.
“Kur u gjet, qysh u gjet, po ishte një lloj lehtësimi për neve sepse e kemi ditur që tash kanë marrë fund vuajtet dhe keqtrajtimet për të”, thotë Pajazitaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, një ndërhyrje më e shpejtë e policisë gjatë periudhës së zhdukjes mund të kishte ndikuar në përfundimin e historisë së Donjetës.
“[Po të trajtohej] me më shumë urgjencë në atë kohë, ndoshta do të mund ta kishim sot gjallë Donjetën”, thotë ai.
Pajazitaj tregon se gjatë takimeve me familjen, zyrtarët e institucioneve të sigurisë u kishin thënë se sinjali i telefonit të Donjetës ishte lokalizuar në territorin e Strellcit.
Kanë kaluar 11 vjet, por familja ende dyshon se në atë periudhë nuk u ndërmorën të gjitha veprimet që mund ta ndihmonin në gjetjen e saj në kohë.
Çdo lajm për vrasjen e një gruaje i rikthen familjarët e Donjetës te ajo periudhë, thotë Pajazitaj.
“Neglizhenca e institucioneve po bën që sot të kemi vrasje të grave sepse nuk po vlerësohet dhe nuk po merret parasysh zëri i tyre”, thotë ai.
Ai u bën thirrje institucioneve të reagojnë në kohë dhe të mos lejojnë që rastet e mëparshme të harrohen. Sipas tij, parandalimi i tragjedive të reja kërkon ndëshkimin e autorëve dhe mbajtjen e institucioneve përgjegjëse për veprimet ose mosveprimet e tyre.
Burimi: www.albeu.com










