LONDËR, 31 tetor /ATSH/ – Sipas “The Independent”, më shumë se 400 persona pritet të marrin pjesë sot në një protestë në Londër, në mbështetje të organizatës “Palestine Action”, e cila është shpallur organizatë e ndaluar nga autoritetet britanike.
Protesta para ambasadës amerikane
Protesta është organizuar nga grupi aktivist “Defend Our Juries” dhe do të zhvillohet në orën 13:00, në hapësirën publike përpara ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lagjen “Battersea” të Londrës.
Pjesëmarrësit pritet të mbajnë pankarta me mbishkrimin: “Unë kundërshtoj gjenocidin, mbështes “Palestine Action”. Organizatorët thonë se demonstrata synon të kundërshtojë ndalimin e kësaj organizate dhe të mbrojë të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirisht qëndrimet e tyre.
Policia Metropolitane e Londrës ka paralajmëruar se pjesëmarrësit mund të arrestohen, pasi shprehja e mbështetjes për “Palestine Action” përbën vepër penale sipas ligjit britanik kundër terrorizmit, pas ndalimit të organizatës në qershor 2025.
Komandanti i policisë Adam Slonecki, i cili drejton operacionin e sigurisë, deklaroi se jo vetëm personat që do të mbajnë pankarta, por edhe ata që do të organizojnë demonstratën, do të japin udhëzime ose do të ofrojnë mbështetje logjistike mund të përballen me masa ligjore.
Autoritetet kanë paralajmëruar një prani të shtuar policore në zonën përreth ambasadës amerikane.
Ankimi në Gjykatën e Lartë
Demonstrata zhvillohet vetëm pak ditë përpara se Gjykata e Lartë britanike të shqyrtojë, më 4 dhe 5 nëntor, ankimin kundër vendimit për ndalimin e “Palestine Action”.
Organizata u krijua në vitin 2020 dhe ka zhvilluar fushata kundër kompanive të përfshira në prodhimin dhe tregtimin e armëve, veçanërisht atyre që lidhen me Izraelin.
Qeveria britanike e ndaloi atë pas një seri aksionesh, përfshirë hyrjen me forcë në objekte ushtarake dhe dëmtimin e pronës.
Një demonstratë e ngjashme është planifikuar edhe në Edinburg, përpara konsullatës amerikane. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









