Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Vdekja e 32-vjeçarit tronditi Kroacinë, denoncime për abuzime në spital psikiatrik

Vdekja e 32-vjeçarit tronditi Kroacinë, denoncime për abuzime në spital psikiatrik
Foto: lajmifundit.al

Vdekja e Kristian Josip Perish, 32 vjeç, në një klinikë psikiatrike në Zagreb të Kroacisë, ka shkaktuar reagime të forta publike dhe ka nxitur hetime për trajtimin e pacientëve në këtë institucion.

Ngjarja në klinikë

I riu, ish-sportist dhe trajner, ndërroi jetë më 21 tetor 2026, gjatë qëndrimit në klinikën psikiatrike “Sveti Ivan”, në zonën e Jankomirit. Rasti mori përmasa të mëdha pas publikimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë së spitalit, të cilat tregojnë personelin mjekësor duke ushtruar forcë fizike ndaj pacientit, i cili ishte i lidhur në shtratin e tij. Në një moment, një pjesëtar i personelit shihet duke i vendosur një jastëk mbi fytyrë.

Pretendime të reja nga pacientët

Pas publikimit të pamjeve, rreth 70 persona kanë kontaktuar redaksinë e emisionit “RTL Direkt”, duke pretenduar se kanë përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike gjatë trajtimit në të njëjtën klinikë.

Disa prej tyre kanë vendosur të tregojnë publikisht përvojat e tyre, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve dhe zbatimin e protokolleve të sigurisë në institucion.

Arrestimet dhe hetimet

Ndërkohë, katër teknikë mjekësorë janë vendosur në paraburgim, nën dyshimin për vrasje të rëndë të një personi të pambrojtur. Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj pjesëtarëve të tjerë të personelit që kanë qenë të pranishëm gjatë ngjarjes.

Avokati i familjes së viktimës ka deklaruar se pamjet filmike dhe provat e tjera tregojnë se 32-vjeçari është goditur dhe se ndaj tij është ushtruar presion fizik, duke pësuar edhe fraktura në brinjë. Megjithatë, shkaku përfundimtar i vdekjes mbetet në pritje të përcaktimit nga ekspertiza mjekoligjore.

Protesta dhe dorëheqje

Rasti ka shkaktuar protesta në Zagreb dhe qytete të tjera të Kroacisë. Mijëra qytetarë janë mbledhur në kryeqytet, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësi për personat e përfshirë.

Ndërkohë, drejtuesja e klinikës, zëvendësja e saj dhe ndihmësi përgjegjës për shërbimin infermieror kanë dhënë dorëheqjen pas zbulimit të parregullsive në menaxhimin e rastit.

Gjetjet e inspektimit

Inspektimi shëndetësor ka evidentuar mangësi në dokumentimin e masave të kufizimit fizik të pacientit, si dhe vonesa në shqyrtimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe raportimin e ngjarjes te autoritetet përkatëse. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të vdekjes së Kristian Josip Perish dhe përgjegjësinë e personelit të klinikës.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha