Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

26-vjeçarja nga Prizreni vdes gjatë marrjes në pyetje nga policia

26-vjeçarja nga Prizreni vdes gjatë marrjes në pyetje nga policia
Foto: pressonline.al

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me rrethanat e vdekjes së Blerta Hysenit, 26-vjeçares që ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi ishte ndaluar nga hetuesit e antidrogës në pikën kufitare të Vërmicës, ku në automjetin me të cilin udhëtonte u sekuestruan mbi 100 gramë kokainë e dyshuar.

Ndalimi në pikën kufitare

Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Sinjali, gjithçka ka ndodhur të dielën, më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur hetuesit ndaluan një automjet tip BMW X6, në të cilin ndodheshin 26-vjeçarja dhe Adnan Podvorica. Gjatë kontrollit, në makinë u gjet dhe u sekuestrua sasia e dyshuar e kokainës, e cila ishte e kamufluar.

Pas ndalimit, hetuesit dyshuan se e reja mund të kishte gëlltitur ose fshehur në trup lëndë narkotike. Për këtë arsye, ajo u dërgua në Spitalin Rajonal të Prizrenit për ekzaminime mjekësore. Ajo dyshohet se u dërgua dy herë në emergjencë, ndërsa në një moment të mëvonshëm gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua rëndë.

Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore

Sipas të njëjtave burime, në ambientet ku po kryheshin procedurat policore, 26-vjeçares iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua në emergjencë me shenja jete. Gjatë trajtimit mjekësor është ngritur edhe dyshimi për një mbidozë të rëndë nga lëndët narkotike. Ky dyshim, sipas burimeve, është përmendur nga një mjek, por deri më tani nuk është konfirmuar si shkaku i vdekjes.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Blerta Hyseni ndërroi jetë në orët e para të së hënës, më 16 nëntor. Pas ngjarjes, në vendin e rastit janë angazhuar njësitë hetimore dhe ato të kriminalistikës. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet vazhdojnë

Deri më tani nuk është konfirmuar nëse 26-vjeçarja kishte gëlltitur lëndë narkotike dhe as shkaku i saktë që çoi në përkeqësimin fatal të gjendjes së saj. Përgjigjet pritet të dalin nga ekzaminimet mjekoligjore dhe hetimet e mëtejshme.

Ndërkohë, të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje konsiderohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha