Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Nëno, dua bukë: Fëmija që u bë simbol i luftës dhe urisë

Nëno, dua bukë: Fëmija që u bë simbol i luftës dhe urisë
Foto: kultplus.com

Poezi nga Nonda Bulka

Nëno!…
-Bir!
-Dua bukë!
Mëma hesht.
-Nëno!
-Bir!
-Ngriva!
Mëma psherëtin.
-Nëno!
-Bir!
-Më dhemb koka!
Mëma s’përgjigjet.

S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka para për doktor. Djali psherëtin, mëma s’i përgjigjet. Edhe ajo psherëtin ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës, por mëma dëgjon tik-taket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën plot rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe e vështron me sy të zgurdulluar.

Nata e ftohtë dhe heshtja e mëmës

S’guxon të qajë; ka frikë mos e zgjojë djalin, që sapo ka filluar të flejë. Rri dhe e vështron. Dy lot helmi rrjedhin nga sytë e saj të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, e vë dorën mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.

-Nëno!
-Biri i nënës.
-Dua bukë!
Nëna hesht.
-Nëno!
-Xhani i nënës!
-Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin.

Djali fle përsëri, ndërsa nëna rri dhe e vështron, e qan ngadalë dhe psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerëzore. Çdo tragjedi është një poemë e gjallë, poema e shekullit tonë.

Korja e Shën Mërisë dhe shpresa e fundit

Një mëmë; pranë saj një dhomë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron koren e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndijë shprese shkëlqen në sytë e saj.

Shën Maria hesht!
Nga larg, zhurma e muzikës së radios i arrin veshët mëmës. Djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.
-Nëno!
-Bir!
-S’jam mirë!
-T’u bëftë nëna, fli!

Djali fle përsëri. Mëma qëndron si statujë! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë.
Dhe djali fle!

Vdekja në heshtje

Mëma i vë dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i prek dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Zërit të mëmës i përgjigjet vetëm heshtja e natës. Kora përballë vështron dhe hesht.

Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje.
S’u prish bota, as padrejtësia s’mori fund. /KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha