Nominimet për edicionin e 69-të të çmimeve “Grammy” janë bërë publike, me këngëtaren dhe kantautoren britanike Raye në krye të listës, e cila ka siguruar gjithsej 11 nominime.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 7 shkurt 2027 në Los Angeles, ndërsa nominimet u prezantuan të hënën në New York nga artistë të njohur, përfshirë Olivia Dean, Kehlani, Pharrell Williams dhe David Guetta.
Artistët më të nominuar
Pas Raye, në listën e artistëve më të nominuar renditet këngëtarja spanjolle Rosalía me nëntë nominime, e ndjekur nga ylli i muzikës country Ella Langley me shtatë. Po nga shtatë nominime kanë marrë edhe Miranda Lambert, Olivia Rodrigo dhe Phoebe Bridgers.
Ndërkohë, Bruno Mars, Leon Thomas dhe Olivia Dean, fituesja e çmimit “Artisti i ri më i mirë” në edicionin e kaluar, janë nominuar në gjashtë kategori secili.
Një tjetër moment i rëndësishëm i këtij edicioni shënohet nga Beyoncé, e cila ka arritur në 100 nominime në historinë e çmimeve “Grammy”, duke mbetur artistja më e nominuar e të gjitha kohërave. Nominimi i saj i fundit është për këngën “Morning Dew (Donk)”, në kategorinë “Performanca më e mirë solo R&B”.
Kategoritë kryesore
Në kategorinë kryesore, “Albumi i vitit”, garojnë Phoebe Bridgers me “Lost Weekend”, Olivia Dean me “The Art of Loving”, Ella Langley me “Dandelion”, Bruno Mars me “The Romantic”, Raye me “This Music May Contain Hope”, Olivia Rodrigo me “You Seem Pretty Sad for a Girl So in Love”, Rosalía me “Lux” dhe Taylor Swift me “The Life of a Showgirl”.
Për çmimin “Artisti i ri më i mirë” janë nominuar Angine de Poitrine, Geese, Ella Langley, Slayyyter, Sienna Spiro, Don Toliver, Remi Wolf dhe The Womack Sisters.
Në kategorinë “Albumi më i mirë pop” konkurrojnë Olivia Dean, Ariana Grande, Bruno Mars, Raye dhe Olivia Rodrigo, ndërsa në atë të “Albumit më të mirë rap” janë nominuar Busta Rhymes, Cardi B, Rapsody, Don Toliver, Wale dhe Kanye West.
Kategoritë e tjera përfshijnë edhe emra të njohur të muzikës R&B dhe country. Në mesin e të nominuarve për “Albumi më i mirë R&B” janë Chris Brown, Alex Isley, Kehlani, PJ Morton dhe Jill Scott, ndërsa për “Albumin më të mirë country bashkëkohor” garojnë Kelsea Ballerini, Carter Faith, Ella Langley, Megan Moroney dhe Kacey Musgraves.
Bashkëpunimet dhe performancat
Bashkëpunimet muzikore kanë zënë gjithashtu vend në listën e nominimeve. Për “Performancën më të mirë pop nga një dyshe ose grup” janë nominuar Lady Gaga dhe Doechii me “Runway”, Madonna dhe Sabrina Carpenter me “Bring Your Love”, Raye dhe Hans Zimmer me “Click Clack Symphony”, Taylor Swift dhe Sabrina Carpenter me “The Life of a Showgirl”, si dhe Tame Impala dhe Jennie me “Dracula”.
Në kategorinë “Performanca më e mirë solo pop” garojnë Olivia Dean me “Man I Need”, Bruno Mars me “Risk It All”, Raye me “Where Is My Husband!”, Olivia Rodrigo me “The Cure” dhe Rosalía me “Sauvignon Blanc”.
Nominime në kategoritë e tjera kanë marrë edhe Madonna, Robyn, Skrillex, Tame Impala, The Rolling Stones, Victoria Monét dhe Tems, duke përfshirë zhanret e muzikës elektronike, rokut dhe R&B-së.
Transmetimi
Ceremonia e 69-të e çmimeve “Grammy” do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin ABC, ndërsa do të jetë e qasshme edhe përmes platformave Disney+ dhe Hulu./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










