Në Prishtinë po mbahet një konferencë ndërkombëtare me temën “Zbatimi i marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe çështjet operacionale”. Organizator i këtij aktiviteti është Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Marrëveshja dhe faza e zbatimit
Feride Rushiti, drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës ka hyrë në fuqi në qershor 2024. Sipas saj, ajo parashikon transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Qendrën e Ndalimit në Gjilan.
Ajo shpjegoi se marrëveshja tashmë ka kaluar në fazën e zbatimit, ndërsa transferimi i të burgosurve pritet të nisë gjatë vitit 2027.
“Kosova po përballet me një realitet të ri pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje në qershor 2024. Sipas marrëveshjes, 300 të burgosur danezë do të transferohen në burgun e Gjilanit, duke e bërë Kosovën vend pritës në Qendrën e Ndalimit në Gjilan. Edhe pse zbatimi i marrëveshjes ka filluar, transferimi i tyre pritet të nisë në vitin 2027”, deklaroi Rushiti.
Kushtet për zbatimin e marrëveshjes
Zëvendësministri i parë i Drejtësisë, Genc Nimoni, theksoi se përmbushja e marrëveshjes kërkon më shumë sesa vënia në funksion e një institucioni korrektues. Sipas tij, nevojiten edhe infrastrukturë e përshtatshme, staf profesional dhe organizim i duhur.
“Marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për përdorimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve daneze përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm të të dyja vendeve. Ratifikimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi bazën për bashkëpunim. Megjithatë, zbatimi nuk kufizohet vetëm në vënien në funksion të një institucioni korrektues, pasi kërkon përgatitjen e infrastrukturës, angazhimin e stafit profesional dhe sigurimin e organizimit të duhur, mbi të gjitha garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut”, tha Nimoni.
Diskutimet në konferencë u përqendruan në sfidat ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe aspektet operacionale të zbatimit të marrëveshjes Kosovë–Danimarkë.
Burimi: www.albeu.com









