Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Protesta kundër vrasjeve të grave nis përgatitjet për ditën e së shtunës

Protesta kundër vrasjeve të grave nis përgatitjet për ditën e së shtunës
Foto: reporteri.al

Përgatitjet për protestën e sotme “Kundër vrasjes së grave – femicidi është urgjencë kombëtare”, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, kanë nisur tashmë.

Në shesh, protestuesit kanë improvizuar sëpata me gjak dhe drunj në tokë, si simbol i dhunës ndaj grave.

Thirrja për veprim

Protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Organizatorët dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.

Me një komunikatë, RRG-ja ka theksuar se femicidi duhet trajtuar si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar nga institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave.

Shenjat paralajmëruese

Organizata ka rikujtuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës. Prandaj, institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Kërkesat kryesore

Ndër kërkesat kryesore të protestës janë ndryshimi i Kodit Penal me përcaktimin e femicidit si vepër penale të veçantë dhe krijimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve. Organizata kërkon gjithashtu ndarje të qëndrueshme buxheti për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.

RRGK-ja kërkon po ashtu zbatimin e plotë të legjislacionit, koordinim më të mirë ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet përgjegjëse.

Në thirrjen e saj, organizata ka theksuar se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë, por institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha