Prej gjashtë muajsh, aktorja “Mjeshtre e Madhe”, Rita Gjeka, po e sjell teatrin në Radio Shkodra përmes interpretimit të prozave të autorëve gegë. Është një mënyrë tjetër për ta afruar artin dhe letërsinë te publiku.
Rubrika me gegnisht në radio
“Kam nisur një rubrikë ku lexohet gegnisht. Unë po lexoj gegnisht Stefan Çapalikun, të cilin larg teatrit nuk mund ta thuash si duhet. E kam nisur shumë herët sepse më pëlqen radioja, e së dyti, njerëzit kanë nevojë për gegnishten. Radio Shkodra është shumë e çmuar, jo vetëm për mua, por për gjithë popullin e Shkodrës”, tha Gjeka.
Buxheti dhe mungesa e aktorëve vendas
Aktorja dhe ish-drejtuesja e Teatrit “Migjeni” flet edhe për rëndësinë e këtij teatri në ditën kur ai shënon 77 vjet nga krijimi.
“Me buxhetin që ka teatri sot, ka vetëm një mangësi sipas mendimit tim: janë pak njerëz, pak teatrantë, pak aktorë teatri. Me atë buxhet do të paguash njerëz nga jashtë, dhe ata nuk qëndrojnë në qytet, nuk promovohen vlerat e qytetit”, tha aktorja.
Puna e radhës në Itali
Rita Gjeka vazhdon të jetë aktive edhe në kinematografi, pasi së fundmi ka përfunduar xhirimet e një filmi në Itali.
“Isha në Itali sepse fitova një audicion për të bërë një film. Filmi është italian, prodhimi italian, regjisori italian dhe roli italian. Roli im ishte italian, e kuptova kur shkova atje. Unë gjithmonë kam menduar se më kishin thirrur për të luajtur rolin e një shqiptareje në Itali”, tregoi aktorja.
Teatri, radioja dhe kinematografia mbeten pjesë e rrugëtimit artistik të Rita Gjekës, e cila prej dekadash vazhdon të jetë pranë publikut.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Burimi: rtsh.al










