Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Instituti Albanologjik nis konferencën për 90-vjetorin e Rexhep Qosjes

Instituti Albanologjik nis konferencën për 90-vjetorin e Rexhep Qosjes
Foto: kultplus.com

Instituti Albanologjik në Prishtinë nis sot punimet e konferencës shkencore “Rexhep Qosja – figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së akademikut dhe njërit prej emrave më të rëndësishëm të mendimit letrar, kulturor dhe intelektual shqiptar.

Konferenca dyditore, e cila mbahet më 25 dhe 26 nëntor 2026 në ambientet e Institutit Albanologjik, do të mbledhë studiues, albanologë, profesorë dhe njohës të veprimtarisë së Rexhep Qosjes, të cilët do të trajtojnë aspekte të ndryshme të krijimtarisë dhe kontributit të tij akademik e shoqëror.

Hapja zyrtare e konferencës

Seanca hapëse do të nisë me fjalën e mirëseardhjes së Fadil Grajçevcit, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, ndërsa fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe akademike shqiptare.

Vizita në zyrën e akademikut

Një nga momentet e veçanta të kësaj konference do të jetë vizita e organizuar në zyrën ku profesor Rexhep Qosja ka punuar për vite me radhë në Institutin Albanologjik. Kjo hapësirë, me propozimin e u.d. drejtorit Fadil Grajçevci dhe vendim të Këshillit Drejtues të institutit, është shpallur zyrë muze, në shenjë të ruajtjes së kujtesës për veprimtarinë e akademikut.

Përmes kumtesave shkencore, studiuesit do të ndriçojnë vlerat e veprës së Qosjes, ndikimin e tij në albanologji, letërsi dhe mendim kritik, si dhe rolin e tij në zhvillimet kulturore e shoqërore shqiptare.

Konferenca synon të shënojë këtë përvjetor duke rikthyer në vëmendje dimensionet e shumta të një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha