Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka hequr dorë nga propozimet për të përdorur marrëveshjet e biznesit si nxitje për Rusinë, që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Ky vendim vjen pas mungesës së interesit nga ana e Moskës për projektet e propozuara, të cilat përqendroheshin në sektorët e energjisë dhe të aviacionit, raportoi sot gazeta Financial Times (FT).
Ndryshimi i qasjes amerikane
Të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, i kanë informuar zyrtarët evropianë se bashkëpunimi në biznes nuk është më një element thelbësor i ofertës së SHBA-së ndaj Rusisë, sipas raportit të FT-së, i cili citon pesë zyrtarë të njohur me këtë ndryshim taktikash.
Raporti u transmetua nga agjencia Reuters. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë për koment.
Propozimet e mëparshme me Moskën
Zyrtarë të lartë rusë dhe amerikanë, përfshirë Kushnerin, kishin diskutuar më parë, para pushtimit rus të Ukrainës, mundësinë e përfshirjes së një investitori amerikan në gazsjellësin Nord Stream, i cili furnizonte Gjermaninë me gaz. Kushner, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës dhe beson se biznesi është çelësi për vendosjen e paqes, paraqiti gjithashtu ide për periudhën e pasluftës, si investimet nga kompanitë amerikane në projekte ruse të naftës dhe në sipërmarrje për prodhimin e titanit, raporton FT.
Pozicioni i Moskës dhe Kievit
Zyrtarët rusë fillimisht reaguan pozitivisht ndaj propozimeve amerikane, por më pas Rusia e humbi interesin për këtë ide. Moska këmbëngul që Ukraina, në këmbim të paqes, të dorëzojë territore dhe të bëjë lëshime të tjera që Kievi i konsideron të papranueshme, shton gazeta amerikane.
Burimi: www.gazetaexpress.com










