Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Momenti dramatik në Oregon: vala rrëmben burrin dhe qenin e tij

Momenti dramatik në Oregon: vala rrëmben burrin dhe qenin e tij
Foto: balkanweb.com

Një moment dramatik është regjistruar në qytetin bregdetar të Cannon Beach, në shtetin amerikan të Oregonit, ku një valë e fuqishme mori përpara një burrë dhe qenin e tij, duke i tërhequr në det. Ngjarja u filmua nga një dëshmitar okular, ndërsa pamjet u publikuan nga policia lokale.

Incidenti ndodhi të martën në mëngjes, më 24 nëntor, në një kohë kur bregdeti i Oregonit po përjetonte të ashtuquajturat “Batica Mbretërore” (King Tides), një fenomen natyror që shoqërohet me ngritjen e pazakontë të nivelit të detit dhe dallgë më të fuqishme se zakonisht.

Paralajmërimi i policisë

Sipas policisë, burri ishte paralajmëruar për rrezikun më pak se dy orë përpara incidentit. Rreth orës 08:50, një efektiv e kishte parë duke drejtuar makinën drejt plazhit, pasi ai kishte shprehur dëshirën për të parë nga afër dallgët. Polici e gjobiti për drejtimin e automjetit në bregdet dhe e këshilloi të qëndronte larg ujit, për shkak të sjelljes së paparashikueshme të valëve.

Ndërhyrja e shpëtimit

Megjithatë, rreth orës 10:30, policia dhe zjarrfikësit morën një njoftim se një burrë dhe qeni i tij ishin marrë nga dallgët. Autoritetet konstatuan se bëhej fjalë për të njëjtin person që ishte paralajmëruar më herët.

Në pamjet e publikuara, burri shihet duke qëndruar në shkallët që të çojnë drejt plazhit, ndërsa qenin e mbante të lidhur me zinxhir dhe e kishte lënë të ecte në rërë. Në një moment, një dallgë e madhe përplaset në breg dhe i merr të dy me vete, duke i tërhequr në det. Për fat të mirë, ngjarja nuk përfundoi në tragjedi. Si burri, ashtu edhe qeni i tij arritën të kapeshin në një tjetër shkallë që të çonte drejt bregut dhe dolën nga uji pa pësuar lëndime.

Paralajmërimi për publikun

Policia publikoi videon për të ndërgjegjësuar banorët dhe vizitorët mbi rrezikun që paraqesin baticat ekstreme. Në deklaratën e saj, ajo theksoi se, pavarësisht spektaklit që ofrojnë këto fenomene natyrore, askush nuk duhet të rrezikojë jetën për të fotografuar apo filmuar dallgët nga afër. Autoritetet u shprehën gjithashtu mirënjohëse që incidenti nuk përfundoi me pasoja tragjike, duke paralajmëruar se rreziku nuk prek vetëm personat që afrohen pranë detit, por edhe ekipet e shpëtimit që mund të thirren për ndërhyrje.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha