Gazetarja Klodiana Lala shpjegoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus hetimet e SPAK që mund të fundosin Spiropalin dhe familjarët e saj, nëse provohet se kanë kryer vepra penale të rënda, për të cilat është depozituar kallëzim.
Modeli i spiropalizimit dhe kuptimi i tij
“Së pari, mendoj se modeli i spiropalizimit është ndër më të shëmtuarit në qeverisjen Rama. Pavarësisht kësaj, fakti që po flet na shërben për të kuptuar si janë deformuar partitë në vend.
Hetimi penal i SPAK-ut
SPAK ka çelur hetim penal për vepra që përfshijnë Spiropalin, bashkëshortin e saj Salarjon Totaj dhe tre pjesëtarë të familjes, dy kunatat e saj dhe vëllain. Hetimi lidhet me korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shkelje barazie në tendera. Ka pasur kallëzim, ku janë pasqyruar edhe të dhëna nga Tatimet. Janë siguruar gjithashtu të dhëna për disa tendera në Ujësjellësin e Fierit, kur ai drejtohej nga Salarjon Totaj.
Regjistrimi penal është bërë mbi bazën e veprave penale dhe ende nuk ka persona nën hetim. Burime zyrtare kanë pohuar sidoqoftë se po hetohet edhe roli i zonjës Spiropali. Konkretisht, po shqyrtohet një kompani në emër të Salarjon Totaj, Sal shpk, e cila zotëron edhe një restorant në zonën e ish-bllokut. Ka dyshime se nga kjo kompani janë bërë ndarje dividentësh në shuma të konsiderueshme, ndërkohë që biznesi, sipas dyshimeve, nuk gjeneronte të ardhura aq të mëdha sa të justifikonin transaksione të tilla.
Kallëzimi dhe roli i Solomon Construction
Kallëzimi u bë në fund të gushtit, në fillim të shtatorit. Pasi SPAK u bind se kishte vend për të hetuar rreth zonjës Spiropali, dyshimet u shtrinë mbi përfshirjen e saj, dhe prokurorët e regjistruan procedimin penal. Një tjetër moment lidhet me Solomon Construction, kompaninë e themeluar nga vëllai i zonjës Spiropali. Sipas verifikimeve, kjo kompani ka fituar tendera pranë Ujësjellës-Kanalizimeve, në kohën kur institucioni drejtohej nga bashkëshorti i Spiropalit.
Po shihen jo vetëm dyshimet për shkelje në tendera, por edhe konflikti i interesit.
Çfarë mund të zbulojnë hetimet
Hetimet mund të tregojnë dhe të nxjerrin në pah nëse Spiropali është e implikuar apo jo. Ne po diskutojmë për shkak të përplasjeve, pasi prokurorët kanë sekuestruar një mori dokumentesh që lidhen me bizneset e bashkëshortit, vëllait dhe kunatave të Spiropalit”, deklaroi Lala.
Burimi: kohajone.com










