Një hetim i gjerë për narkotikët në Stamboll ka marrë përmasa të reja, pasi Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka lëshuar urdhër-arreste për 35 persona, mes të cilëve edhe emra të njohur nga bota e artit, televizionit dhe showbiz-it turk.
Sipas raportimeve, gjatë operacioneve të zhvilluara në kuadër të hetimit janë ndaluar 23 persona.
Emra të njohur në listën e të ndaluarve
Në mesin e personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhër për ndalim, si dhe të atyre që janë ndaluar gjatë operacionit, përmenden edhe figura të njohura publike.
Ndër emrat e bërë publikë janë Özcan Deniz, Burcu Özberk, Murat Ceylan, Deniz Çakır Baykal, Murat Başoğlu, Cansu Taşkın, Deniz Sözen, Mehmet Can Karcı, Pınar Bent, Ceylan Kaya, Işıl Işık Demir, İbrahim İzzet Özilhan, Burhan Karaca, Cem Güler, Erdal Bozkuş, İbrahim Yılmaz, Saghar Shojaei, İlknur Şahin, Meltem Özkayadan, Seher Grothe Sevdişan, Ufuk Gündoğdu, Onur Yüksel dhe Muammer Kapucuoğlu, raportojnë mediat turke, transmeton IndeksOnline.
Prokuroria zbardh detajet e hetimit
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit, hetimi po zhvillohet nga Zyra për Hetimin e Kontrabandës, Narkotikëve dhe Krimeve Ekonomike.
Procedimi përfshin dyshime për vepra penale që lidhen me prostitucionin, tregtinë dhe sigurimin e lëndëve narkotike ose psikotrope, si dhe përdorimin dhe mbajtjen e tyre.
Në kuadër të hetimeve janë shqyrtuar deklaratat e të dyshuarve, dëshmitë e personave të marrë në pyetje, dëshmitë e dëshmitarëve të fshehtë, si dhe materialet digjitale të sekuestruara dhe raportet e ekspertizës.
Pas vlerësimit të këtyre të dhënave, autoritetet kanë vendosur të lëshojnë urdhër për ndalimin e 35 personave, mbi bazën e dyshimeve për përdorim ose mbajtje të lëndëve narkotike.
Hetimet vijojnë
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimi po vazhdon në disa drejtime, ndërsa pritet të zbardhen edhe detaje të tjera lidhur me rastin.
Deri më tani nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor ndaj personave të përfshirë në hetim. Gjithashtu, nuk është bërë e ditur se cilat nga veprat penale të përmendura nga prokuroria dyshohet se lidhen me secilin prej tyre.
Burimi: indeksonline.net









